Policia Shkencore nxjerr “të pastër” kryebashkiakun e PS, Noka kërkon “ndihmën” e Ramës: Ç’merret tjeter me hundë?

Analiza për të vërtetuar nëse kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla kishte konsumuar kokainë apo jo, ka rezultuar negative.
Kjo është përgjigja e dhënë pas denoncimit në media të një video ku dyshohej se Lefter Alla ishte duke konsumuar kokainë.

Për ngjarjen në fjalë nisi një hetim nga Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion, e cila ndër të tjera kërkoi dhe analizat e gjakut të kryebashkiakut.

Lidhur me këtë reagon edhe ish-deputeti demokrat Flamur Noka. Përmes një postimi në Facebook, ish-ministri i Brendshëm shprehet se SPAK urdhëroi analizat e urinës, që tregojnë gjurmët e kokainës maksimumi deri në 2 javë pas konsumimit të fundit, në vend që të urdhëronte testin me fije floku, që tregon gjurmët e kokainës, edhe kur ajo është konsumuar prej vitesh.

Reagimi i plotë i Flamur Nokës:

“Nuk është ashtu siç duket”

Skena që kemi parë është kjo: kryebashkiaku i Bulqizës, me anë të një karte, bën gati 2-3 viza të holla te bardha në një pjatë. Ul kokën, thith me hundë nga e majta në të djathtë masën e bardhë të përgatitur.

Pyetjes se çfarë po thithte kryebashkiaku i Bulqizës, qytetarët iu përgjigjën: kokainë.

Pyetjes a po merrte kokainë kryebashkiaku i Bulqizës, i emëruar nga Edi Rama, policia shkencore e Sandër Lleshajt, i emëruar nga Edi Rama, iu përgjigj: Nuk është ashtu siç duket. Kryebashkiaku që lëviz kokën nga e majta në të djathtë duke thithur me hundë një lëndë të ndarë në viza të bardha, nuk po konsumon kokainë.

Për të shpjeguar këtë arritje të re të policisë shkencore të Edi Ramës, duhet të na vijë në ndihmë Edi Rama. Ai duhet të na ndihmojë me përgjigjen e pyetjes: Përveç kokainës, çfarë merret tjeter me hundë dhe ngjan me një vizë të bardhë?!

Po SPAK si e priti këtë rezultat? Ashtu siç e kishte llogaritur: nuk është ashtu siç duket. SPAK urdhëroi analizat e urinës, që tregojnë gjurmët e kokainës maksimumi deri në 2 javë pas konsumimit të fundit, në vend që të urdhëronte testin me fije floku, që tregon gjurmët e kokainës, edhe kur ajo është konsumuar prej vitesh.

“Nuk është ashtu siç duket”- është moto me të cilën qeveris Edi Rama, edhe kur e kapin në flagrancë me kokainë, edhe kur e kapin duke vjedhur vota, edhe kur e kapin duke vjedhur me tendera e koncesione.

SHKARKO APP