Policia si ”Big Brother” në kampin MEK
Herët në mëngjes, Policia e Shtetit zbarkoi sërish në kampin MEK në Manëz të Durrësit. Forcat e policisë janë vendosur në hyrje të kampit Ashraf 3 dhe kontrollojnë të gjithë mjetet që dalin nga kampi. Një javë më parë në këtë kamp për shkak të kontrolleve të ushtruara nga Policia me urdhër të SPAK pati tensione, ku përfaqësues të MEK akuzonin efektivët e policisë për dhunë.
Sipas SPAK, dyshohet se organizata “MEK”, e vendosur në Manzë, ka kryer sulme kibernetike ndaj Republikës Islamike të Iranit në disa periudha të ndryshme kohore, si edhe ndaj institucioneve në shtetin iranian.
Veprat penale që dyshohet të jenë kryer nga kampi i muxhahedinëve janë “provokimi i luftës”, “përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”, “ndërhyrje në sistemet kompjuterike dhe “keqpërdorim i pajisjeve”.
Duke qenë se statusi i organizatës MEK në Shqipëri është humanitar, Republika Islamike e Iranit në vazhdimësi ka pretenduar duke ngritur këto dyshime, si dhe në mënyrë të vazhdueshme kërcënon se do të ndërmarrë sulme ndaj Shqipërisë dhe organizatës MEK.