Policia “terror” për një javë, 33 aksione dhe 181 qytetarë të arrestuar

Policia e Shtetit ka publikuar një bilanc të frikshëm të javës që lamë pas, ku 181 persona kanë rënë në pranga, 362 janë vënë nën hetim dhe 33 janë në kërkim. 43 persona në kërkim kanë rënë në pranga, nga këta 31 në kërkim kombëtar dhe 12 në kërkim ndërkombëtar.

33 operacione policore janë zhvilluar të koduara: “The last”, “Money scam”, “Zall-Herr”, “Paskuqani”, “Pacienti”, “Rada”, “Dark”, “Yrsheku”, “Vila”, “Bills”, “Trick”, “Unaza”, “Bergamo”, “Grand Tour”, “Basti i fundit” (2 raste), “Informaliteti”, “Green Forest”, “Restart 6”, “Dimal”, “Stacioni”, “Premtimi”, “Unexpected”, “Compass”, “Road guard 12”, “Attempt”, “Call me 3”, “Thumana”, “Fati i lojërave”, “Identiteti”, “Nightëalker”, “Triple” dhe “Five”.

Ndërsa operacione ndërkombëtare janë realizuar dy, me pjesëmarrje të FAST Albania dhe të strukturave të tjera të Policisë së Shtetit. Për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike janë zhvilluar 2 operacione, gjatë të cilëve janë shkatërruar 10 sera me fidanë kanabis dhe janë sekuestruar qindra fara kanabis. Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar dhe goditur 16 raste dhe janë sekuestruar 14 armë zjarri, një armë sportive, 10 thika, municion luftarak etj.

Gjithashtu, gjatë operacioneve janë sekuestruar rreth 80 kg cannabis, dhjetëra doza cannabis, rreth 1 kg heroinë, sasi kokaine, 12 automjete, 12 celularë, 6 makineri për lojëra fati, shuma të konsiderueshme parash, euro të falsifikuara dhe mallra kontrabandë. Një ngjarje kriminale është parandaluar, ndërsa janë goditur 13 raste të kundërshtimit të punonjësve të Policisë dhe janë ndjekur ligjërisht 53 raste të dhunës në familje. Sipas policisë, janë evidentuar dhe goditur 15 raste të krimeve mjedisore, 12 raste të organizimit të lojërave të fatit dhe 11 raste të vjedhjes së energjisë elektrike.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar dhe goditur 34 raste, ndërsa në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar dhe goditur 42 raste. Katër raste zjarrvënie janë evidentuar, ku është arrestuar një person dhe janë vënë nën hetim tre të tjerë. Policia Rrugore gjatë kësaj jave ka pezulluar 347 leje drejtimi, nga të cilat: 228 për tejkalim shpejtësie, 75 për drejtimi mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 44 për qarkullim në sens të kundërt.

57 shoferë kanë rënë në pranga, 32 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 25 për drejtim pa patentë. 16.135 gjoba janë vendosur gjatë kësaj jave dhe janë goditur gjashtë raste të korrupsionit aktiv ndaj punonjësve që ushtrojnë funksione publike. Policia Kufitare gjatë kësaj jave ka kapur 18 persona në kërkim, nga të cilët 10 në kërkim kombëtar dhe 8 në kërkim ndërkombëtar.

Në gjendje të lirë po hetohen 10 persona për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit”, 5 persona për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe 9 të tjerë për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë” dhe “Mosdeklarimi i të hollave në kufi”. 16.930 euro janë sekuestruar dhe janë goditur dy raste mitëdhënieje.

SHKARKO APP