Policia tregon forcën tek qytetarët, vë 765 gjoba: U kapën pa maska
Siç duket, Policia e Shtetit është shumë e aftë që të vendosë gjoba, pasi betejën me sigurinë e ka humbur. Sipas njoftimin zyrtar, në 24 orët e fundit janë vënë 765 gjoba ndaj qytetarëve që janë kapur pa maska në rrugë. Nga ana tjetër, gjatë këtyre kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 8 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit apo nuk e kanë pasur atë me vete, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.
Njoftimi i plotë
Ndëshkohen me masën administrative 3.000 lekë, 765 qytetarë që lëviznin pa maskat mbrojtëse. Gjithashtu, ndëshkohen me masën 1.000.000 lekë secili, 3 administratorë lokalesh, pasi nuk respektuan protokollet e sigurisë. Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.
Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, nga Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore janë evidentuar 765 qytetarë që nuk kishin maskat mbrojtëse, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 3 lokale, në ambientet e të cilëve kishte muzikë pas orës 20:00 dhe nuk respektoheshin protokollet e sigurisë që kanë si qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19. Secili prej administratorëve të këtyre lokaleve është ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë.
Gjatë këtyre kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 8 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit apo nuk e kanë pasur atë me vete, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.
Policia e Shtetit falënderon qytetarët që respektojnë këtë masë mbrojtëse dhe apelon që të gjithë të vendosin maskat mbrojtëse, të respektohet me rigorozitet vetëkarantinimi i detyrueshëm nga ata qytetarë që janë të prekur me COVID-19, pronarët e lokaleve të respektojnë protokollet e sigurisë dhe të mos kundërshtojnë urdhrin e punonjësve të Policisë, pasi Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i kësaj mase mbrojtëse sepse parandalon infektimin me COVID-19.