Politika shqiptare në sytë e diplomates suedeze: Janë lodhur me të njëjtat beteja
Ambasadorja e Suedisë në Tiranë, Elsa Hastad i ndjek me interes zhvillimet politike. Hastad nuk preferon të dalë jashtë kostumit të diplomates teksa i kërkohet një opinion për bashkëpunimin politik në Shqipëri dhe krizën e brendshme që po kalon opozita.
“Do të doja të jepja një përgjigje nga pikëpamja e demokracisë sepse në këtë pikë e kam kompetencën për të folur. Sigurisht që është një problem nëse nuk kemi një opozitë funksionale të fortë. Të gjithë demokracitë e kanë të nevojshme opozitën të përbërë nga disa parti sepse në këtë mënyrë krijohet dhe nxitet demokracia. Unë si diplomate dhe kolegët e mi e ndjekim nga afër këtë situatë dhe shpresojmë që parlamenti shqiptar të mblidhet dhe bëjë punën e parlamentit. Të ketë një opozitë dhe qeveri të fortë, të ketë diskutime dhe të bëjnë punën. Është problem kur demokracia nuk është terësisht funksionale ashtu si duhet të jetë”,-tha në “Ora News”.
Si njohëse e mirë e politikës shqiptare ajo nuk është shumë optimiste për një zgjidhje të shpejtë por nënvizon se palët duhet të gjejnë mënyra për të punuar sëbashku përkundër pikëpamjeve të ndryshme.