Politika të do/Shehu: Njerëzimi theu limitet. Covid-19 rrafshoi hierarkitë
Një pjesë e mirë e botës si edhe Shqipëria është izoluar nga frika e Covid-19, kjo si një masë e mirë për të parandalur infektimet e reja. Këtë situatë studiuesi Redi Shehu e quan karantinokraci dhe pohon se izolimi në shtëpi po na bën të kuptojmë edhe rëndësinë e lirisë.
”Kryeministri të do, Kryemadhi po ashtu, edhe Basha në anën tjetër. Në këtë mënyrë, kupton se çfarë rëndësie ka liria për ne. Kjo na bën të vlerësojmë çastet që kanë ikur. Duhet të rikonfigorojmë shumë gjëra, shpresoj që të jetë një çast meditimi. Pas tronditjeve të mëdha, njerëzit e kanë ndryshuar sjelljen nga realiteti. Tani mbetet për t’u parë, për mirë apo për keq”.
Nga ana tjetër, ai komentoi edhe termin “armik”, shumë të përdorur gjatë kësaj kohe nga kryeministri por edhe liderë të tjera në botë, duke theksuar se njerëzimi i theu limitet. Për më tepër Shehu shprehet se duhet të shohim edhe anën pozitive, sipas tij ky virus theu hierarkitë.
”Në Wuhan viruset janë në trupat e kafshëve dhe ishim ne që shkuam dhe e morëm, thyem limitet. Ne gjithmonë gjejmë armiq aty ku nuk ka. Kjo është një sprovë dhe shoqëria po testohet. Ta lëmë termin armik. Më shumë se sa armik, ka edhe anët e tij pozitive. U rrafshuan hierarkitë, të gjithë sëmurën njësoj, të gjithë futen në karantinë njësoj. Me këtë virus ne pamë që u krijua njëfarë stacioni, epoke. Kjo do të jetë edhe një epokë historike, para dhe pas koronavirusit. Po ashtu, na ktheu në tradicionalizëm, na ktheu te jeta familjare, te gjerat e përditshme”.