Politikanët e korruptuar shqiptarë nuk do hyjnë në SHBA

 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të ndryshojnë strategjinë lidhur me korrupsionin në Shqipëri. Ambasadori amerikan, Donald Lu deklaroi në “Zërin e Amerikës” se do t’u ndalohet hyrja në SHBA të gjithë zyrtarëve të korruptuar nga Shqipëria. “Shpallja Presidenciale Nr. 7750, i jep Sekretarit të Shtetit autoritetin të ndalojë lëshimin e vizave amerikane zyrtarëve, gjykatësve, prokurorëve dhe deputetëve të huaj të korruptuar. Ne e përdorim këtë kompetencë anembanë botës për të promovuar luftën kundër korrupsionit. Presim që së shpejti të shqyrtojmë rastet e para në Shqipëri”, – tha Lu. Kjo është deklaratë shumë e fortë dhe po shikohet se ambasadori Lu është i pari ambasador amerikan që do të jetë  kaq i vendosur për të pastruar politikën shqiptare. Deklarata vjen në një nga momentet kur korrupsioni në nivelet e larta cilësohet si problem kryesor i demokracisë së Shqipërisë dhe pengesë për integrimin në Bashkimin Europian. Refuzimi i vizës për zyrtarët e lartë është një procedurë që është aplikuar në raste shumë të rralla për politikanët shqiptarë. Në media është përfolur disa kohë më parë për zyrtarë të ndryshëm, por korrupsioni asnjëherë nuk ka qenë motiv publik i shkaqeve të refuzimit. Qëndrimi i djeshëm i ambasadorit është më konkreti në këtë drejtim dhe pritet të japë efektet e para. Për vetë marrëdhëniet mes SHBA dhe Shqipërisë refuzimi i vizitës për një zyrtar apo politikan mund të konsiderohet edhe si fund i karrierës së tij, duke ditur fuqinë amerikane në vendin tonë. Ndaj nga shumë nisma që janë ndërmarrë për antikorrupsionin, miliona euro të hedhura për trajnime dhe projekte, refuzimi i përmendur nga Ambasadori Lu duket se është zgjidhja më e rreptë dhe natyrisht efikase.

Zhvillimet e 25 viteve në Shqipëri janë dëshmi e keqpërdoimit të mbështjetjes amerikane. Në jo pak raste, emra të njohur të politikës shqiptare, të përfshirë në skandale publike dhe abuzime të faktuara kanë rikuperuar imazhin e tyre dhe rënien e mbështetjes në vend vetëm duke bërë vizita në SHBA. Takime të stisura me ish-senatorë apo kongresmenë, pjesëmarrje në forume, që në jo pak raste nuk janë në dijeni të zhvillimeve në vend, janë shitur në Tiranë si mbështetje e hapur e SHBA-ve nga tyre. Me deklaratën e bërë dje nga ambasadori amerikan, duket se kjo lojë për politikanët dhe gjyqtarët e korruptuar merr fund. Askush prej njerëzve me probleme në Shqipëri dhe që ka jetë aktive, pas kësaj nuk mund t’u hedhë hi syve njërëzve me mbështetjen ndërkombëtare. Duket paksa reminishencë nga vitet e kaluara, por antikorrupsioni që të ketë sukses, ka nevojë dhe për demaskim. Dhe refuzimi i vizave për në SHBA është demaskimi më i mirë që mund t’i bëhet një politikani shqiptar.

Mesazhet e djeshme të ambasadorit amerikan bëhen vetëm pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve. Veç politikanëve të korruptuar që duhen ndëshkuar me pranga në Shqipëri, një rëndësi të veçantë ka edhe mospërfshirja e të inkriminuarve në fushatën zgjedhore. Larg klisheve diplomatike, Donald Lu foli qartë. Nuk foli as për të dyshuar dhe as për hamendje. Tha troç: Mes kandidatëve ka kriminelë. Një deklaratë që duhet të kishte vënë në alarm këdo në Shqipëri. Por nga partitë politike dje nuk pati asnjë reagim. PS-ja vazhdoi fushatën e qetë, ndërsa PD-ja duket se e ka mbyllur gjithë punën e saj me dekriminalizimin duke hequr nga gara kandidatin e Këlcyrës. Në këtë pikë, duket se ka mbetur vetëm një zgjidhje, që votuesit të mos votojnë kriminelët e tjerë që kanë mbetur në lista. Por a mjafton ndërgjegjia qytetare kur një popull që mendon politikisht, pra në shumicë vepron si militantë, partia u çon për të zgjedhur pikërisht kriminelin?  Dhe fatkeqsisht e votojnë. Kur kandidati del në krah të Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit, apo Kryetarit të opozitës, si ta dallojnë votuesit kriminelin nga burri i mirë?   Edhe këtë herë, partitë zgjodhën të fshehin njerëzit e tyre me probleme dhe të tregojnë me gisht nga radhët e kundërshtarit. Madje dhe t’u bëjnë karshillëk deklaratave të ambasadorit të një partneri strategjik për Shqipërinë. Donald Lu foli për kandidatë konkretë. U çoi emrat kryetarëve të partive. Denoncoi publikisht më shumë se një herë përfshirjen e emrave problematikë. Dhe së fundmi, po thotë shqip: Ka ende kriminelë!

Ç’të thotë me tepër ambasadori Lu , vetëm të urdhëroj personalisht t’i arrestojnë! Ai po flet hapur e rreptë që të pastrohet politika nga të korruptuarit që kanë mandat ndërsa partitë politike bëjnë sikur nuk dëgjojnë. Ambasadori do të durojë edhe pak dhe ka për të thënë më pas se iks kryetar partie apo politikan i rëndësishëm është i korruptuar. Ai po paralajmëron. Ai nuk flet si Lu , por si ambasador i Shtetit më të fuqishëm e më demokratik në botë. Amerikanët të paralajmërojnë njëherë, të dytën të thërrasin dhe të vënë dosjen përpara dhe herën tjetër të pret drejtësia.

Ambasadori Lu po bën jo vetëm detyrën e një ambasadori mik, por edhe si një shqiptar patriot dhe i ndershëm që kërkon një politikë të pastër e të ndershme.

SHKARKO APP