Polonia: Datë për Ballkanin në BE
Polonia insistoi që në deklaratën e Samitit të Poznanit Bashkimi Europian të dalë me një datë për integrimin e Ballkanit në union. Mikpritësi i liderve të vendeve të rëndësishme të BE-së dhe shteteve të rajonit, Presidenti Andrzej Duda tha se Varshava nuk do të pranojë që shtetet e Ballkanit të jenë në një vrapim, pa një finish në horizont.
Kancelarja gjermane Angela Merkel, kryeministria britanike në largim, Theresa May, kryeministri francez Edouard Philippe dhe presidenti polak Andrzej Duda biseduan me kryeministrat e rajonit, mes të cilëve ai shqiptar Edi Rama, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe kryeministrja serbe, Ana Brnabic. Konkluzionet e samitit u përmblodhën në një dokument prej 12 faqesh dhe prekin 5 fusha si ekonomia, lidhshmëria, siguria, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, pajtimi dhe çështjet e pazgjidhura dypalëshe.
Liderët e Ballkanit perëndimor, morën përsipër intensifikimin e përpjekjeve të bashkëpunimit rajonal për akses më të madh në Ballkanin perëndimor dhe i meshuan infrastrukturës. Një pikë e dokumentit është edhe çështja e personave të zhdukur dhe krimet e luftës, e cila konsiderohet si një detyrë e rëndësishme. Samiti i radhës do të organizohet nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut në 2020.
KOHA JONË SONDAZH

