“Popullsia e vendit po plaket”, Klajda Gjosha: Nisma e LSI “nga bebja në bebe” është investimi për të ardhmen

Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha ka vënë në dukje të tjera problematika lidhur me situatën demografike në vend.

Në një postim në Facebook, Gjosha shprehet se popullsia e vendit po shkon drejt plakjes.

Për të rregulluar këtë problem madhor për të cilin flitet shumë pak, është e domosdoshme të ndërhyhet urgjentisht nga shteti”, shprehet Gjosha, duke sjellë edhe një here në vëmendje planin ekonomik të LSI dhe nismën “Nga bebja në bebe”.

Statusi i plotë:

Situata demografike në Shqipëri duket se ka dalë jashtë kontrollit. Shqipëria po plaket dhe po pakësohet me ritme të shpejta, duke tejkaluar edhe parashikimet më pesimiste.

Po bëj një përmbledhje të shpejtë për të kuptuar realitetin sot dhe për të krahasuar me pak vite më parë.

Në 1990 lindnin 3 herë më shumë fëmijë dhe vdisnin më pak njerëz. (Në vitin 1990 kishim 82 mijë lindje ndërsa në 2020 kemi 28 mijë lindje ose gati tre herë më pak se para tre dekadash. Në vitin 1990 kishim 18 mijë vdekje në vit, ndërsa në vitin 2020 janë shënuar mbi 27.600 vdekje në vit, kjo për shkak edhe të plakjes së popullsisë).

Kjo rënie e lindjeve ka ardhur si pasojë e varfërisë, frikës dhe pasigurisë ekonomike të familjeve të reja. Në kushtet kur të ardhurat janë të ulëta dhe vendi i punës i pasigurtë, lindja e një fëmije të ri është një barrë e pasuportueshme. Kjo ka cuar në një plakje të popullsisë dhe kolaps të sistemit të sigurimeve shoqërore.

Aktualisht kemi 20 të moshuar për 100 persona në moshë pune dhe për 10 vjet do të kemi 35 të moshuar për çdo 100 persona në moshë pune. Praktikisht njerëzit nuk janë të sigurtë sot se kur të dalin në pension do të kenë mundësi të paguhen për mundin e gjithë viteve të punës.

Për të rregulluar këtë problem madhor për të cilin flitet shumë pak, është e domosdoshme të ndërhyhet urgjentisht nga shteti. LSI ka propozuar një zgjidhje nëpërmjet programit nga ‘Bebja në Bebe’. Për çdo fëmijë që lind, ne do të ofrojmë një garanci prej 1 mijë dollarësh dhe në momentin që ky fëmijë do të ketë mundësinë të krijojë familjen e tij, e të bëhet me fëmijë, pas 25-30 vitesh, ai do të ketë rreth 25 mijë dollarë që të ndihmojë dhe krijojë familjen e tij.

Ne këtë mënyrë ndihmojmë jo vetëm familjet e reja por dhe fëmijët dhe pensionistët, dhe sidomos mbajmë aktive popullatën për të rritur ekonominë! ‘Nga Bebja në Bebe’ është investim për të ardhmen dhe për një Shqipëri të sigurtë për brezat që do të vijnë!

SHKARKO APP