Porositë e SHBA-së për PD dhe Ramën

Nesër do të mbahet Kuvendi Kombëtar i PD-së, udhëhequr nga Komisioni i Rithemelimit. Një ditë para aktivitetit, në Tiranë ndodhet zyrtarja e lartë amerikane, Karen Donfried. Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, u takuan me zyrtarët e politikës shqiptare.

Në takimin me kryetarin e komanduar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, takim që u mbajt në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, vetë Alibeaj tha se u fol për pengesat me të cilat po përballet Shqipëria, kryesisht për luftën kundër korrupsionit. Po ashtu ai tregoi se mori mbështetjen e SHBA-së për Partinë Demokratikë, si një opozitë pro-amerikane që sheh nga e ardhmja.

”Mora mbështetjen e zonjës dhe të DASH për mbështetjen e një opozitë të fortë dhe të qëndrueshëm, një opozite pro amerikane që sheh nga e ardhmja. Sfidat prekin të gjithë Shqipërinë. Ky është preokupimi i PD”, tha Alibeaj.

Reformat në Shqipëri, investimet në energjinë, integrimi dhe lufta në Ukrainë, ishin disa nga temat në fokus të takimit mes zyrtares së lartë të SHBA dhe kryeministrit Edi Rama. Detaje të takimit Rama i zbardhi përmes një postimi në facebook, ndërsa ndau edhe foto të takimit me zyrtarët amerikanë.

“Diskutuam gjerësisht për ecurinë pozitive të reformave, forcimin e drejtësisë, investimet strategjike në energji, veton e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, situatën në rajon, si edhe për mbështetjen e plotë që Shtetet e Bashkuara i japin Ballkanit të Hapur. Konsideratat e Ndihmës/Sekretares për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit dhe në rajonin tonë ishin mbresëlënëse”,-shkruan Rama.

SHKARKO APP