Porositi dhe organizoi dhunën ndaj avokatit Mëngjesi, Apeli lë në burg Dritan Nanon

Gjykata e Apelit ka rrëzuar kërkesën e Dritan Nanos, i akuzuar si organizatori dhe porositësi i dhunimit barbar të avokatit Sokol Mëngjesi, i cili kishte kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë.

Nano kishte kërkuar ndryshimin e masës së sigurimit personal nga “arrest në burg”, në atë të “arrest në shtëpi”, pasi avokati Sokol Mëngjesi ka depozituar një shkresë në Gjykatë ku kërkon që t’i hiqen akuzat Nanos, pasi i ka rregulluar marrëdhëniet me të.

Por, kjo kërkesë nuk është marrë parasysh si nga Gjykata e Shkallës së Parë ashtu edhe nga Gjykyta e Apelit, teksa ditën e sotme vendimi u mor nga gjyqtarja Valbona Vata.

Avokati Sokol Mëngjesi u dhunua në mënyrë barbare me sende të forta mëngjesin e 29 Majit në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, sapo kishte lënë djalin e vogël në kopësht.

Tre autorët e sulmit, të identifikuar nga kamerat e sigurisë janë shtetasit Dorian Alia; Drivald Alia dhe Elton Kasaj, teksa pas krimit, janë ndihmuar për t’u larguar nga vendi i ngjarjes nga shtetasi Romario Tabaku, 26 vjeç me automjetin tip “Audi” me targa “AB696JT”.

Aktualisht ndodhet në qeli vetëm Dorian Alia, dhëndri i Dritan Nanos, i cili u vetëdorëzua, teksa tre të tjerë vijojnë të jenë ende në kërkim.

Sipas hetimeve të autoriteteve policore, avokati Sokol Mëngjesi është goditur për shkak të detyrës, teksa si organizator i dhunimit të tij dyshohet se është shtetasi Dritan Nano.

Avokati Sokol Mëngjesi përfaqësonte në një proces gjyqësor 8 trashëgimtarë të një prone, proces gjyqësor i cili është fituar prej tyre në të dy shkallët e gjyqësorit.

Paraprakisht, të 8 trashëgimtarët kishin firmosur një kontratë për pagesat që do i jepnin avokatit Sokol Mëngjesi në rast se gjyqi do të fitohej. Pas gjyqi është fituar, 7 prej palëve kanë zbatuar kontratën me studion ligjore “ALTERUM SHPK” të Sokol Mëngjesit, përveç Dritan Nanos.

Për këtë avokati ka hapur gjyq ndaj Dritan Nanos, proces që e ka fituar dhe përmbarimi ka bllokuar pronën, duke mos e lejuar që të vijoj shitja. I gjendur në këtë situatë, dyshohet se Dritan Nano ka angazhuar lidhjet e tij shoqërore duke kërcënuar avokatin që të tërhiqet nga përqindja që duhet të merrte.

Fillimisht raportohet se kanë pasur një takim rreth një muaj më parë, por nuk kanë rënë dakord pasi Sokol Mëngjesi ka pretenduar se ka një kontratë që duhet ta zbatojë studio ligjore. Burime për mediat bëjnë me dije se bëhet fjalë për një pronë tek Diga e Liqenit Artificial në Tiranë, ku janë ndërtuar kulla.

SHKARKO APP