Postobllok në Bërzhitë, ekspertët: Policia, jo kontrolle me fushata
Pas aksidentit tragjik në Bërzhitë ku humbën jetën dy vajzat 17-vjeçare, policia ka nisur patrullimet. Një patrullë e policisë rrugore, këtë të hënë ka ngritur një postbllok, pak metra nga vendi i aksidentit. Për ekspertët policia duhet të kryejë aksione të vazhdueshme dhe jo me fushata.
”Asnjëherë për aksidentet rrugore nuk duhet punuar me aksion, që të punojmë sot dhe ta harrojmë. Puna duhet të jetë e vazhdueshme nga të gjithë aktorët, puna e të cilëve lidhet me aksidentet rrugore”,-thotë Artur Sulçe. Ai deklaron se aksidenti në Bërzhitë duhet të shërbejë si paralajmërim për autoritetet, të cilët me ndryshimin e motit duhet të inspektojnë rrugë.
”Deri sot në vendin tonë e kanë parë si statistikë aksidentin rrugor dhe jo që të merren masat e duhura të cilat ti jepnin zgjidhje. Ka ardhur koha që ata që merren me këtë punë të mendojnë gjerë e gjatë”. Pavarësisht pretendimit për ashpërsimin e masave ndëshkimore për shkelësit e rregullave të qarkullimit dhe aksioneve të përsëritura të policisë, ulja e aksidenteve me vdekje nuk po realizohet.