Pr.buxheti 2019: Sa do të jetë rritja ekonomike, borxhi, deficiti dhe shpenzimet
Në tre vitet e ardhshme qeveria parashikon ta ulë borxhin publik në 59.9 % në vitin 2021 dhe rritja ekonomike të arrijë në nivelin 4.5 për qind. Pritshmëritë janë pasqyruar në projektbuxhetin e vitit 2019. Konkretisht rritja ekonomike për vitin e ardhshëm projektohet në 4.3 për qind, dhe në trend rritës në 4.4 për qind në vitin 2020 dhe 4.5 në vitin 2021. Ministria e Financave e argumenton këtë pritshmëri me kërkesën e brendshme, konsumin dhe investimet.
Sa i takon borxhit publik, parashikohet që të ulet me 2.2 për qind nga sa është aktualisht dhe në vitin 2019 të jetë 65.3 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, me trend rënës në vitet në vijim, në 62.8 pëqind në 2020 për ta mbyllur mandatin e qeverisë në nivelin 59.9 për qind. Ndërsa deficiti fiskal targetohet në nivelin 1.9 për qind të PBB-së për vitin 2019, me ulje vetëm 0.1 për qind nga sa është aktualisht, dhe parashikohet në rënie në vijim duke arritur në 1.2 për qind në 2021.
Në draftin për të cilin do të nisin konsultimet, Ministria e Financave parashikon rritje të shpenzimeve publike gjatë vitit 2019, në vlerën e 520 miliardë lekëve nga 492 miliardë që ishin parashikuar në 2018-ën. Shpenzimet kapitale janë parashikuar të ulen me 0.3 për qind dhe operative me 0.1 për qind. Sektorët që do të kenë reduktim fondesh janë sektorët si arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe bujqësi. /scan
KOHA JONË SONDAZH



