Pranga administratores dhe inxhinierit të ndërtimit, sekuestro pallatit 10-katësh

Administratorja e një firme ndërtimi dhe inxhinieri i saj janë arrestuar sot paradite nën akuzë për ndërtim pa leje. Policia sekuestroi pallatin 10-katësh në Tiranë, pasi projekti i zbatuar prej tyre kishte dalë jashtë parashikimeve.

Burime zyrtare të Policisë së Tiranës konfirmuan se u arrestua shtetasja Nadire Qinami (Dano), 58 vjeçe, administratore e firmës së ndërtimit “Brilant” shpk, si dhe 34-vjeçari Enea Koçiasi, inxhinier pranë kësaj firme ndërtimi. 

Arrestimi u krye nga efektivë të Komisariatit nr.2, në bashkëpunim me Seksionin për Korrupsionin.

 “Projekti i pallatit të projektuar nga firma ‘Brilant’ shpk ishte për 7 kate. Por atij i janë shtuar edhe 3 kate të tjerë. Arrestimi ka ardhur për shkak të shtesës me tre kate”, shtuan burimet policore.

 Gjithashtu, është vendosur sekuestro preventive ndaj pallatit 10-katësh që ndodhet tek rruga “Frederik Shiroka”, pranë zonës së njohur të “21 Dhjetorit”, në Tiranë.

 Policia tha se materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për dy akuza: “ndërtim i paligjshëm” dhe “dhënie e ndihmës për ndërtim të paligjshëm”.

SHKARKO APP