Pranga kryekomunarit, i dehur godet policët…mbante edhe një shotgan pa leje

Drejtonte automjetin në gjendje të dehur, por është ndaluar nga policia dhe pas debateve me efektivët, kreu i komunës së Blinishtit në Lezhë i ka goditur ata. Është ky leksioni që jep një kryekomunar, i zgjedhur dhe “shembull” për ata që e votojnë .  

Sipas burimeve policore, 53-vjeçari Jak Zhuba, kryekomunari i Blinishtit, ishte duke drejtuar makinën tip BMË, kur ka dalë nga rruga në afërsi të fshatit Piraj, në rrugën Lezhë-Blinisht.

Zhuba i është nënshtruar testit të alkoolit dhe ka rezultuar në gjendje të dehur, mbi 0.5% alkool, fakt që e ka kundërshtuar. Ndaj ka filluar të debatojë me efektivët e policisë dhe më pas, sipas burimeve, edhe t’i godasë me grushte.

Policia kryer fillimisht shoqërimin e 53-vjecarit Zhuba, e më pas ka ushtruar kontroll në banesën e tij. Gjatë kontrollit në banesë u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë gjuetie shotgan 12 mm, pa leje, dhe 3 copë thika të madhësive të ndryshme.

Policia tha se materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Lezhës. Kryekomunari do të hetohet për 5 akuza: “goditje për shkak të detyrës”, “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut sportive”, “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta”, “largim nga vendi i aksidentit” dhe “drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt, në gjendje të dehur”.

SHKARKO APP