Prangosen 5 persona në Tiranë, policia jep detajet për arrestimet
Policia e Tiranës ka arrestuar 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale, si dhe janë sekuestruar lëndë narkotike dhe një armë e ftohtë.
Shërbimet e Komisariatit Nr. 6, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, goditën një tjetër rast, duke vënë në pranga shtetasit A. U., 30 vjeç dhe E. M., 30 vjeç, pasi në rrugën “Petraq Leka”, gjatë kontrollit të automjeteve dhe banesës iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 8 tableta metadon dhe një qese me material kokrrizor, i dyshuar farë e bimëve narkotike cannabis sattiva.
Po nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. L., 29 vjeç, pasi në rrugën “Selman Riza”, gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar cannabis sativa.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit sirian B. Ch., 25 vjeç, pasi në bulevardin ”Bajram Curri”, është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, me armë të ftohtë thikë dhe nuk iu është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për kontroll fizik.
Shërbimet e Policisë Kavajë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. H., 38 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.58 mg/l.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.