Prangosen autorët që vranë biznesmenin, ”bllok” për borxhet
Vrasja e biznesmenit Memli Begalla pak ditë më parë në Tiranë, është bërë për shkak të borxheve të pashlyera. Policia me anë të një deklarate për mediat është shprehur se ka ndaluar dy persona të dyshuar si autorë. Kreu i Policisë së Tiranës Kastriot Skendaj, ka bërë të ditur se janë vënë në pranga Alban Serezi dhe Denis Demiri.
”Për të dy këta persona janë ekzekutuar urdhërat e ndalimit. Nga veprimet e dokumentuara, rezulton se shtetasi Denis Demiri ka kryer ekzekutimin e shtetasit Memli Begalla. Dyshohet se pista kryesore ku janë fokusuar hetimet është ajo e borxheve që nuk kishte shlyer viktima”,-tha Skendaj.
Më tej kreu i policisë së Tiranës, shtoi se: ”Për arsye hetimore, nuk mund të bëjmë me dije të dhëna të tjera në lidhje me mekanizmin apo rolet si dhe përfshirjen e personave të tjerë në këtë ngjarje. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një automjet me targa të huaja, me të cilin autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes. Gjithashtu është sekuestruar një automjet në pronësi të shtetasit Denis Demiri, si dhe 9 telefona celularë”.
Policia e Shtetit, duke falënderuar qytetarët dhe mediat për bashkëpunimin, shprehet e vendosur të godasë me Forcën e Ligjit çdo akt, grup kriminal apo paligjshmëri, për të ndërtuar së bashku një Shqipëri më të mirë dhe të sigurt.
KOHA JONË SONDAZH

