Pranimet e reja – Politekniku, 1960 kuota për vitin e ardhshëm akademik
Universiteti Politeknik i Tiranës do të presë 1960 studentë të rinj për vitin e ardhshëm akademik.
Rektori i këtij Universiteti, Andrea Maliqari, bën të ditur se pas 3 vitesh pezullimi nga Ministria e Arsimit, janë propozuar kuota dhe për studimet e doktoraturës.
“Ne kemi respektuar atë numër kuotash që kemi pasur edhe vitin e kaluar rreth 1960 kuota. Pas një ndërprerje kemi përcaktuar edhe kuota që i takojnë studimeve të nivelit të tretë të doktoraturës. Tarifat e studimit në të gjitha programet e studimit nuk kanë ndryshuar”, shprehet Maliqari.
Për herë të parë këtë vit, pranë Fakultetit të Arkitekturës do të hapet një program i ri studimi Arkitekturë në interier dhe dizajn.
Maliqari thotë se përsëri kriteret e pranimit në Arkitekturë do të jenë të njëjta me programet e tjera, ndërkohë që vitin e ardhshëm do të rikthehet testimi i veçantë.
“Hapet për herë të parë bachelori në Arkitekturë interieri dhe në dizajn me një numër 31 kuotash në total. Për Arkitekturën në programin e integruar master i shkencave 117 kuota dhe master i integruar i Urbanistikës 64 kuota. Vitin tjetër do të organizohet më ndryshe programi i studimeve të Arkitekturës në masterin e integruar duke tentuar në një test më të veçantë në raport me programet e tjera të studimit, por sivjet do të qëndrojmë përsëri në ato kritere që kanë qenë vitin e kaluar”, sqaron rektori i Politeknikut.
Universiteti Politeknik është i pari institucion i lartë publik që ka marrë akreditimin nga Agjencia Britanike e vlerësimit të cilësisë, e kontraktuar nga MAS.
KOHA JONË SONDAZH

