Prapë Parisi, hidhet në erë një kamikaze.
Prapë në Paris. Nuk ndalon terrori. Një grua e rrethuar në apartamentin e saj hodhi veten në erë duke aktivizuar rripin me eksploziv që mbante në brez, për të mos rënë në duart e policisë. Dy terroristë të tjerë u vranë me sjajper dhe 5 të dyshuar u arrestuan pas një shkëmbimi zjarri me forcat antiterror që nisi prej orës 4:30 të mëngjesit, në Saint-Denis, në veri të Parisit. Tre policë dhe një civil u plagosën. Abdelhamid Abaaoud, që mendohet të jetë organizatori i sulmeve të së premtes, dyshohet.se strehohet ne kete zone.
Ndërkohë që aksioni policor në Paris vazhdon mediat e huaja raportojnë se një person i kërkuar ende është i mbyllur brenda një apartamenti.
Identiteti i tij nuk është bërë i ditur. Po ashtu, bëhet e ditur se një qen gjurmues i policisë ka mbetur i ngordhur si pasojë e të shtënave ndërmjet policisë dhe të kërkuarve.
Policia franceze bastisjet i ka nisur për të kapur organizuesin kryesor të sulmeve të Parisit, Abdelhamid Abaaoud.Dëshmitarët i kanë thënë mediave të huaja se paralagja aktualisht duket si zonë lufte.
Çfarë dihet deri tani
• 4:30: Në Saint-Denis dëgjohen të shtëna armësh dhe shpërthime. Forca të shumta të policisë dhe ushtrisë rrethojnë zonën. Qarkullimi ndalohet dhe banorët këshillohen të qëndrojnë në shtëpi.
• 8:08 Abdelhamid Abaaoud, i dyshuari si organizator i sulmeve të së martës së 13 nëntorit në Paris mësohet se është shenjestra e operacionit të antiterror. Në operacion marrin pjesë edhe zyrtarë të antiterrorit belg.
• 8:16 Tre terroristë vriten. Dy u qëlluan me snajper. Viktima e tretë ishte një grua që shpërthen rripin me eksploziv që mbante me vete. Disa të tjerë qëndrojnë ende në një banesë dhe vazhdojnë të shkëmbejnë zjarr me policinë. Një banor dhe 3 policë u plagosën gjatë shkëmbimit të zjarrit.
• 8:30 Ministrja franceze e Drejtësisë Christiane Taubira deklaron se operacioni është drejt fundit.
• 8:47 Konfirmohet se dy terroristë u vranë gjatë sulmit.
• 9:07 Prokuroria e Parisit konfirmon arrestimin e 5 personave të dyshuar si terroristë. Mes tyre 3 personat që shkëmbyen zjarr me policinë, si dhe një burrë dhe një grua që u kapën pranë apartamentit ku gjendeshin tre të dyshuarit si terroristë që u përplasën me armë me policinë.
Operacioni antiterror po vijon. Banorët po mbahen larg perimetrit të sigurisë dhe po u kërkohet të mos dalin nga shtëpitë.
Parisi në shenjestër
Operacioni konfirmon dyshimet e kryeministrit Manuel Valls se terroristët janë gati të ndërmarrin të tjerë sulme në Francë.
Mbi 120 mijë forca sigurie janë shpërndarë në mbarë Francën, pjesa më e madhe e tyre në Paris. Baza e celulës kryesore terroriste dyshohet të jetë Saint-Denis. Një tjetër vatër është në Belgjikë, në Molembeek.
Por Parisi mbetet shenjestra e terroristëve, që po veprojnë për llogari të ISIS, si shenjë hakmarrje ndaj bombardimeve që Franca po bën në territoret e pushtuara nga Shteti Islamik në Siri.
KOHA JONË SONDAZH

