#PrayForAlbania! Ç’po ndodh me zjarret
Në Twitter kanë nisur postimet me hashtag #PrayForAlbania. “Ja çfarë po ndodh dhe askush nuk flet”.
Natyra po shkatërrohet.
Pyjet dhe kullotat e vendit nga veriu në jug, janë nën “sundimin” e flakëve. Thuajse të gjitha bashkitë e vendit janë raportuar vatra zjarri, por aktualisht me problematiket mbeten ato në pyllin e Semanit dhe në territoret e Shkodrës dhe Lezhës, ku prej ditësh vazhdojnë të digjen sipërfaqe me pyje dhe kullota, ullishte dhe pemëtari.
Po kështu zjarre të përmasave të ngjashme u panë edhe në pyllin me pisha në Gramsh, ndërsa dje pamjet me dron treguan se pylli i Semanit u përfshi nga flakët. Në Fushë-Krujë raportohen gjithashtu zjarre, në fshatin Kullasë.
Ditën e sotme, zjarret thuhet se po rrezikojnë pyjet pranë Ranës së Hedhun në Shëngjin. Zjarri i nisur në malin e Renxhit prej disa ditësh ka gjasë të përfshijë edhe zonën turistike. Të tjera vatra zjarri gjendjen në fshatrat Lekël dhe Hormovë në Tepelenë dhe në pyllin e Sulit në Devoll.
Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, nga 329 vatra zjarri që janë konstatuar që nga janari, 168 janë shënuar vetëm gjatë muajit korrik, duke djegur qindra hektarë dhe duke shkrumbuar mijëra rrënjë ullinj dhe pemëtari. Paçka pse autoritet dhe shërbimet zjarrfikëse raportojnë se shumica e vatrave të zjarrit gjatë kësaj periudhe janë të qëllimshme, deri tani nuk ka ndonjë person të evidentuar dhe aq më pak të ndaluar nga Policia.
https://twitter.com/tiroonse/status/1290411066850250752