Prej vitesh, në “rradhë” për një punë – Tregu i punës i “deformuar”, çfarë pritet të ndryshojë ?
Gjysma e punëkërkuesve të papunë në të gjithë vendin rezultojnë që të jenë në listëpritje me vite për një vend pune. Të dhënat e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, tregojnë se nga rreth 65 mijë të papunë të regjistruar në zyrat e punësimit në mbarë vendin, 32,473 individë ose 50% e Totalit, janë afatgjatë.
Kategorizohet si punëkërkues afatgjatë, një individ i cili nëse ka mbi 1 vit i regjistrua. Përqindja që zënë të papunët afatgjatë ndaj Totalit të papunëve të regjistruar është një nga treguesit e rëndësishëm të Tregut të punës që tregon edhe defektet si dhe politikat që duhen ndërmarrë.
Në këtë kategori, 31 për qind e përbëjnë ata që kanë 1-3 vite të regjistruar dhe 19 për qind, ata që kanë mbi 3 vite. Grupmosha mbi 40 vjeç dhe ata që janë me arsim të mesëm, rezultojnë që ta kenë më të vështirë integrimin në tregun e punës dhe që qendrojnë më së shumti në listë pritje.
Nisur nga rezultatet e 2018, qeveria ka përcaktuar një qasje tjetër sa i takon punësimit, kjo e përcaktuar në strategjinë kombëtare për punësim dhe aftësim 2019-2022.
Një nga objektivat kryesore të saj është nxitja e përfshirjes sociale dhe e kohezionit territorial përmes zgjerimit të mbulimit, përfshirjes dhe efektivitetit të shërbimeve të punësimit dhe arsimit dhe formimit profesional për të rinjtë dhe të rriturit, përfshirë dhe popullsinë e rrezikuar për përjashtim. Si dhe fuqizimi i qeverisjes së tregut të punës dhe i sistemeve të kualifikimeve. / Scan