Prekja e Piperos nga Covid-19 pas vaksinimit/ Fico: Jo nga cilësia e Pfizer, pas dozës së dytë nis mbrojtja

Lajmi që mjeku infeksionist Pëllumb Pipero është prekur nga Covid-19, kjo dy javë pasi u vaksinua me vaksinën Pfizer, ka ngritur shumë pikëpyetje. Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, thotë se dyshimi për prekjen e Piperos nuk është tek Pfizer, pasi sipas saj vaksina ka ardhur në kushte optimale.

”Do ta kisha të vështirë të pohoja situatën, sidomos kur vjen puna për Piperon. Nuk jam as në pozicionin si drejtuese, apo si mjeke, për të pohuar rastin. Doktorit i urojmë shërim të shpejtë, pavarësisht faktit që Covid-i është një sëmundje që ka një kohëzgjatje të caktuar. Vaksinat hyjnë në kategorinë e barnave, dhe si të tilla futen në vende të ndryshme sipas një rregullatori, i cili është përgjegjës për sigurinë e vaksinës. Në Shqipëri vaksina Pfizer ka hyrë me leje, në kushte optimale. Ne nuk dyshojmë te Pfizer, dimë që ka ardhur në kushte optimale. Nga ISHP është transportuar në vendin e vetëm që kemi sot, Arenën Kombëtare dhe është aplikuar”,-tha Fico për ”News 24”.

Sipas saj, një person është i mbrojtur nga virusi, kur i ka marrë të dyja dozat e vaksinës. ”Po, kur merr të dyja dozat je i mbrojtur. Të mos harrojmë se vaksinat kanë marrë autorizim emergjent, pasi është kryer stadi i tretë i provës klinike. Të gjitha kompanitë kanë për detyrë të mbledhin të gjitha të dhënat. Vaksinimi përfshin një masë shumë të gjerë të popullatës, organizmi i njeriut është si gishtat e dorës, nuk e dimë sa i fuqishëm është efekti i vaksinës te secili. Por, ajo që dimë është pas dozës së parë nga dita e 12 fillon një mbrojtje paraprake, ndërsa pas dozës së dytë, një javë më pas, nis mbrojtja”, deklaroi ajo.

SHKARKO APP