Premtimi i PD për taksën e sheshtë, Tabaku: Do të sjellë më shumë investime të huaja në Shqipëri. Rushaj: Rritet ndjeshëm buxheti i shtetit
Ndonëse kryeministri Edi Rama në daljet e tij publike e ka bërë të qartë që nuk do e ndryshojë taksën progresiste, ku sipas tij, ai që fiton më shumë paguan më shumë, nga krahu tjetër, Partia Demokratike në këto zgjedhje ka ardhur me një ofertë të re, ku premton, rikthimin e taksës së sheshtë, ku të gjitha bizneset do të paguajnë taksë 9%.
Jorida Tabaku dhe Alfred Rushaj, dy kandidatë të Partisë Demokratike në këto zgjedhje, të ftuar në “Real Story”, në “News 24”, folën pikërisht për implementimin e kësaj takse.
Sipas Tabakut, nëse PD do të vijë në pushtet, do të miratohet që ligji fiskal, nuk do të ndryshohet për katër vite, e kjo sipas saj, është një garanci për investitorët e huaj që do të duan të investojnë në vend.
“Ajo që kemi bërë ne në program, është çlirimi i energjive për biznesin, që iu ka zënë fryma. Sot shtresa e mesme është zvogëluar në numër, ndërkohë që kemi një shpërndarje jo të drejtë të pasurisë. Taksa e sheshtë do të ndihmojë të gjitha shtresat. Ajo që kemi menduar ne është që s’e shohim Shqipërinë të izoluar, por ta bëjmë në 30 vendet e para në botë në biznes.
Taksa 9% këtë bën, kthen investimet e huaja. Praktikisht, bizneset sot krijohen me tendera dhe koncesione. Nuk ka në parlament asnjë ligj special. Me modelin që kemi prezantuar dhe do prezantohet, kryeministri i ardhshëm do të heqë dorë, ashtu siç e ka Rama tani, që e përdor Parlamentin si noter. Parlamenti nuk do e ndryshojë ligjin fiskal për 4 vite. Kjo është pjesë e një normaliteti për ekonominë. Është në interes edhe për kompanitë e huaja, që duan të investojnë në Shqipëri”, tha Tabaku.
Alfred Rushaj, shpjegoi me detaje të mirat që ofron taksa e sheshtë dhe shtoi se çfarë ndikimi do të ketë ajo në buxhetin e shtetit.
“Ne nuk kemi asnjë inat me bizneset, çështja e oligarkëve, nuk ka lidhje me taksat. Ne themi 9% flet për të gjithë, të gjithë dot ë paguajnë më pak taksa dhe buxheti i shtetit do të marri më shumë lekë. Këtë e kemi të provuar. Në vitin 2007 u bë taksa e sheshtë 10%, çfarë ndodhi ishte kjo, tatim fitimi edhe pse u zvogëlua të ardhurat personale u rritën më 60%, më e rëndësishme është që dy taksat bazë dhe akciza TVSH sollën mbi 300 mln euro në vit në buxhetin e shtetit. Shumica e taksave tona mblidhet në doganë. Duke ardhur tek taksa e sheshtë janë dy gjëra thelbësore.
Individët dhe biznesi duan diçka të thjeshtë dhe të jetë e qëndrueshme në kohë. Ne kemi thënë do e bëjmë 9 % taksën dhe në fund të ditës do e paguash prapë këtë. Tjetra është që kur të miratohet buxheti i shtetit, do i themi pushtetit taksat e tua do të jenë kaq, ndërkohë që biznesi do të bëj llogaritë ku do të investojë. Është eksperiment i provuar, kemi Maqedoninë e Veriut, ka një sistem fiskal që nuk ndryshohet. Sepse e kanë të lidhur mbijetesën dhe zhvillimin e tyre ekonomik me thjeshtësinë. Ne kemi pasur punë pafund, veçanërisht me kompani të huaja sepse investitori dhe biznesi nuk ishte i qartë i ka përmbushur. Njerëzit nuk ishin të sigurt, sepse ishte aq kompleks biznesi. Thjeshtësia është baza”, tha Rushaj.