Presidenti Begaj dhe Zonja e Parë priten në audiencë të veçantë nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, vizitoi sot Selinë e Shenjtë në Vatikan, ku së bashku me Zonjën e Parë, Armanda Begaj, u prit në një audiencë të veçantë nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku. Presidenti Begaj e falënderoi Atin e Shenjtë për audiencën dhe duke iu referuar marrëdhënieve historike e shumë shekullore mes shqiptarëve dhe liderëve të tyre me Selinë e Shenjtë, shprehu mirënjohjen e thellë për gjithçka që Shteti i Vatikanit ka bërë për popullin shqiptar, sidomos pas ndryshimeve demokratike në vitet ’90.
Kreu i Shtetit vlerësoi vizitat e Papa Vojtilës në vitin 1993 dhe të Papa Françeskut në vitin 2014 si mesazhe të forta mbështetëse për shqiptarët, për historinë dhe sakrificat e tyre për liri, pavarësi e dinjitet. Duke iu referuar vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, Presidenti Begaj u shpreh se vlerësimet e Papës për bashkëjetesën dhe harmoninë ndërfetare në Shqipëri i bën krenarë të gjithë shqiptarët.
Presidenti Begaj e siguroi Papa Françeskun, se shqiptarët ndjehen të vlerësuar dhe janë mirënjohës për vendimet e Papa Françeskut dhe të Selisë së Shenjtë për shenjtërimin e Nënë Terezës, lumturimin e 38 martirëve të Kishës Katolike shqiptare, emërimin e At Ernest Troshanit si Kardinal Nderi i Vatikanit, dhe së fundmi të emërimit të Imzot Arjan Dodajt si Kryeipeshkv i metropolit shqiptar të Tiranë-Durrësit.
Një vëmendje të veçantë në takimin me Atin e Shenjtë, Presidenti i Republikës ia kushtoi Kosovës. Duke përshëndetur marrëdhëniet shumë të mira kanonike mes Selisë së Shenjtë dhe komunitetit katolik të Kosovës, Presidenti Begaj nënvizoi se “që nga dita e shpalljes së pavarësisë Kosova ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në drejtim të ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe të demokracisë”.
Gjatë audiencës, bisedimet u përqëndruan edhe te zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor si dhe ndikimi i agresionit rus në Ukrainë për rajonin. Presidenti Begaj e ftoi Atin e Shenjtë për një vizitë në Shqipëri, duke e siguruar se do të mirëpritej gjithmonë krahëhapur nga populli shqiptar.