Presidenti Begaj kthen në Kuvend ligjin për dekoratat: Ngushton kompetencën

Për herë të parë që kur mori detyrën e kreut të shtetit, presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kthen në kuvend ligjin “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë”.

Kreu i shtetit thotë kjo kompetencë i takon Presidentit të Republikës dhe se konstatohet një ngushtim i kompetencës kushtetuese të Presidentit të Republikës për dhënien e dekoratave.

Sipas Begajt, dhënia e dekoratës duhet konsideruar si një akt përmbyllës i një procesi vlerësimi, që i takon paraprakisht dhe vetëm Presidentit të Republikës.

“Në këtë rast kemi të bëjmë me një kompetencë kushtetuese të Presidentit të Republikës, i cili në kuptim të Kushtetutës, është një institucion i pavarur kushtetues, me ligj rregullohet mënyra e dhënies së dekoratave dhe titujve të nderit, pasi është e qartë se cili është organi që i jep ato. Gjykata Kushtetuese ka cilësuar në jurisprudencën e saj, lidhur me statusin dhe pozicionin e institucioneve/organeve të pavarura kushtetuese se: “Kjo pavarësi nuk është thjesht një privilegj i tyre, por një prerogativë e vërtetë dhe e domosdoshme, e cila u jep më shumë siguri, qëndrueshmëri dhe efikasitet organeve dhe institucioneve kushtetuese në ushtrimin e detyrave të tyre”, thuhet në njoftim.

SHKARKO APP