Presidenti dekoron me titullin “Nderi i Kombit” Normalen e Elbasanit

Kjo konferencë është organizuar nën kujdesin e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, i cili ka dekoruar Normalen e Elbasanit me titullin “ Nderi i Kombit”. Në fjalën e tij, rektori i universitetit Liman Varoshi ka deklaruar se “Elbasani është një qytet që jetën e tij e ka të lidhur fort me botën e arsimit dhe dijes. E vlerësojmë presidentin për dekorimin dhe titullin që i ka dhënë Normales së Elbasanit, pasi ky universitet i ka rrënjët tek ajo Normale”.

Ndërkaq, presidenti Bujar Nishani është shprehur se ndjehet i lumtur në këtë përvjetor të madh dhe se në këtë konferencë marrin pjesë edhe normalistë dhe student të rinj.

Normalja ka qenë një vatër e dashur e arsimit shqiptar. 105 vjet më parë u krijua shkolla e parë e mësuesisë në shqip. Hapja e kësaj shkolle ka qenë një nga vendimet më të rëndësishme të Kongresit të Elbasanit. Por, historia e arsimit në Shqipëri nuk është shkruar ashtu siç ajo e meriton. Vend i Normales së Elbasanit do të lartësohet në histori, pasi e ka krijuar vetë vendin e saj, tha Presidenti. Ai shtoi se “sot arsimi po njeh zhvillime që nuk mund të mendoheshin më parë. Ndaj sot kam nderin dhe privilegjin që të nderoj Normalen e Elbasanit me titullin “ Nderi i Kombit”.

“Këtë shenjë mirënjohje më e madhja në vend për një insitucion arsimor, kemi vendosur t’ia akordojmë universitetit që mban emrin “ Aleksandër Xhuvani”, pasi ky universitet vazhdoi hapat e Normales”, tha në vijim presidenti Nishani.

105 vjet më parë, kur Shqipëria ende nuk kishte fituar Pavarësinë, në kryeqendrën e Shqipërisë së Mesme, në Elbasan, u çel shkolla e mesme kombëtare ‘Normale’, e para e këtij lloji në gjuhën shqipe që përgatiste mësues për edukimin e brezave të ardhshëm. Hapja e shkollës ‘Normale’ u vendos nga Kongresi i Elbasanit, i mbajtur në gusht të vitit 1909 dhe në 1 dhjetor të po atij viti ajo çeli dyert për mbi 100 nxënës nga gjithë trevat shqiptare.

Shkolla ‘Normale’, e njohur si rrezatimi i dritës së diturisë shqiptare, nisi të funksionojë në ndërtesën e Servet Bej Zylfit, në Elbasan dhe që në hapat e para u dallua për misionin historik kombëtar dhe arsimor. Në datën 1 dhjetor të vitit 1909 në bankat e shkollës u ulën 111 nxënës dhe pas 2 muajsh ky numër arriti në 140 nxënës, 70 prej të cilëve ishin nga Kosova, dërguar nga Hasan Prishtina.

Aty mësohej matematikë, numëratore, gjeometri, algjebër, trigonometri, astronomi, mekanikë, fizikë, kimi, histori natyrore, anatomi, fiziologji, zoologji, botanikë, gjeologji, mineralogji, gjuhë shqipe, shkronjtore, sintaksë, literaturë, retorikë, poetikë, turqisht, frëngjisht, anglisht, greqisht, etj.

SHKARKO APP