Presidenti finlandez Stubb takohet me Trump në Florida, diskutojnë forcimin e partneritetit dypalësh

Presidenti finlandez, Alexander Stubb bëri dje një udhëtim të papritur për t’u takuar me presidentin e SHBA-së, Donald Trump në pronën e tij në Florida, ku të dy udhëheqësit diskutuan forcimin e partneritetit dypalësh mes vendeve të tyre, sipas “Reuters”.

“Presidenti Stubb dhe unë presim me padurim të forcojmë partneritetin midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Finlandës, dhe kjo përfshin blerjen dhe zhvillimin e një numri të madh të akullthyesve shumë të nevojshëm për SHBA-në, duke ofruar paqe dhe siguri ndërkombëtare për vendet tona dhe botën”, tha Trump në një postim në rrjetet sociale.

Dy presidentët u takuan për mëngjes, luajtën golf dhe drekuan së bashku. Ata diskutuan gjithashtu çështje të politikës së jashtme, duke përfshirë Ukrainën.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u takua me Stubb në Helsinki javën e kaluar.

Zyra e presidentit finlandez tha në një deklaratë se vizita e paparalajmëruar e Stubb në pronën e Trump në Mar-a-Lago në West Palm Beach, Florida, ishte joformale.

Takimi u zhvillua një ditë pasi zëvendëspresidenti amerikan i Trump, J.D. Vance, bëri një vizitë të paftuar në Groenlandë, një territor gjysmë autonom i aleatit të ngushtë nordik të Finlandës, Danimarkës.

Vance akuzoi Danimarkën për një punë të dobët duke e mbajtur Groenlandën të sigurt.

Trump ka shprehur interes për blerjen e Groenlandës, pjesë e një fokusi ndërkombëtar në rritje në konkurrencën për të kontrolluar Arktikun.

Qeveria e Danimarkës e kundërshton një veprim të tillë, ashtu si shumica e banorëve të Groenlandës.

Finlanda është prodhuesi kryesor në botë i akullthyesve. Rreth 80% e anijeve janë projektuar nga kompani finlandeze dhe rreth 60% e tyre janë ndërtuar në kantieret finlandeze.

Në nëntor, Kanadaja, Finlanda dhe administrata e ish-presidentit amerikan, Joe Biden nënshkruan një marrëveshje të quajtur Përpjekja e Bashkëpunimit të Akullthyesit (ICE) – për të punuar së bashku për të zhvilluar akullthyes të klasit botëror të Arktikut dhe polare përmes shkëmbimit të njohurive, informacionit dhe burimeve.

Përpara vizitës së tij, Stubb tha se shpresonte të luante golf me Trump dhe se diplomacia e akullthyesit mund ta ndihmonte Finlandën të mbante marrëdhënie të mira me SHBA-në dhe Trump.

Finlanda ndan kufirin më të gjatë të Bashkimit Evropian me Rusinë. Pasi Rusia pushtoi Ukrainën, vendi bëri një kthesë të politikës së jashtme pas disa dekadash mungesë angazhimi ushtarak, duke vendosur të bashkohej me NATO-n së bashku me Suedinë.

Kritikat e shpeshta të Trump ndaj aleatëve të NATO-s dhe ndryshimi i tij drejt normalizimit të marrëdhënieve me Rusinë i kanë bërë disa vende evropiane të përpiqen të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes. //a.i/ ATSH

SHKARKO APP