Presidenti i Parlamentit Europian vizitë zyrtare në Tiranë
Presidenti i Parlamentit Europian, David Sasoli do të vizitojë Tiranën në 2 dhe 3 Dhjetor.
Njoftimi është bërë i ditur nga zyra e shtypit të Parlamentit Europian. Axhenda e Presidentit të PE kalon si fillim nga Shkupi ku ai do të mbërrijë të hënën e javës së ardhshme. Një muaj më vonë ai do të zhvillojë vizitën zyrtare në Shqipëri.
Në një njoftim për vizitën e tij Sasoli thotë se vizita në dy vendet e Ballkanit është një nga më të rëndësishmet si dhe thekson qëndrimin e Parlamentit Europian në favor të çeljes së negociatave me të dy vendet.
Vizita e Sasolit do të jetë e para e një prej drejtuesve më të lartë të Bashkimit Europian pas samitit të 17-18 tetorit ku Këshilli nuk vendosi për hapjen e negociatave.
Ky vendim u kritikua nga një pjesë e vendeve dhe zyrtarëve të BE-së të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre për besueshmërinë e unionit në Ballkan.
Sasoli është gjithashtu zyrtari i parë i lartë i BE që i përket të mandatuarëve të rinj pas zgjedhjeve të reja që u zhvilluan në Bashkimin Europian. Në Nëntor pritet që Presidentja e re e Komisionit si dhe të gjithë komisionerët e rinj të marrin detyrat e tyre për të çuar përpara axhendën e mandatit të ri 5-vjeçar.