Presidenti i ri, Klosi: Nga sherret e brendshme, PD ka harruar të bëjë opozitën
Sekretari organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, thotë se procesi për Presidentin e ri është duke vijuar tashmë nga Partia Socialiste, por nuk po ecën përpara nga PD, e cila sipas tij, duke u marrë me sherret e brendshme, ka harruar se ka ardhur dita që duhet të propozojnë një emër ose të paktën duhet të bëjnë opozitën për emrat që do të propozojë PS-ja për presidentin e ri.
“Tryeza e bisedimeve duhet të kishte filluar prej kohësh. Nga kampi i opozitës kemi vështirësi se më kë duhet të flasim edhe pse praktika parlamentare dhe kushtetuta janë të qarta. Kemi bërë një ftesë për 3 grupet parlamentare, nuk kemi akoma një identikit të baraspëlqyer nga palët, por një sherr të brendshëm në PD. Ne nuk kemi ftuar zotin Alibeaj në cilësinë e deputetit të zakonshëm, por ne kemi ftuar 3 grupet parlamentare, një prej të cilëve drejtohet zyrtarisht nga Alibeaj.
Kështu ndodhi edhe në 30 qershor, u unë, u grinë, jo do marrim pjesë, jo nuk do marrim pjesë. Fakti është që nuk morën pjesë. Këtë bënë edhe me garën parlamentare, këtë bënë edhe me djegien e mandateve.
Mesa duket, duke u marrë me sherret e tyre të brendshme po harrojnë se ka ardhur dita që duhet të propozojnë një emër ose të paktën duhet të bëjnë opozitën për emrat që do të propozojë Partia Socialiste. Do të ishte shumë mirë për opinionin publik, për jetën parlamentare, për Shqipërinë, që presidenti të kishte maksimalisht votat për ta bërë ata personazhin që do të veshë kostumin e presidentit”, tha Klosi në “A2cnn”.