Presidenti ktheu Kodin Zgjedhor, Rudina Hajdari kërkon mbledhje të Këshillit Politik të martën: Të riulemi në tryezë dhe të arrijmë një kompromis
Dy ditë pasi Presidenti i Republikës Ilir Meta ktheu në Kuvend Kodin Zgjedhor, deputetja Rudina Hajdari kërkon mbledhje të Këshillit Politik të martën. Hajdari bën thirrje që Këshilli Politik të riulet në tryezë për të arritur një kompromis.
Sipas Hajdarit, kthimi i Kodit Zgjedhor të ndryshuar në kuvend nga Presidenti është një mundësi e mirë për tu riulur edhe njëherë në tryezën e Këshillit Politik për të diskutuar se si mund të arrihet një produkt i cili të gëzojë mbështetjen e të gjithë qytetarëve shqiptarë.
MESAZHI I PLOTË
Të nderuar kolegë,
Presidenti i Republikës e ka rikthyer për shqyrtim Projektligjin për ndryshimet në Kodin zgjedhor dhe në gjykimin tim kjo është një mundësi e mirë për tu riulur edhe njëherë në tryezën e Këshillit Politik për të diskutuar se si mund të arrijmë një produkt i cili të gëzojë jo vetëm mbështetjen e një pale, sic është rasti aktual, por mbi të gjitha mbështetjen e të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Në 30 vite, reformat zgjedhore në këtë vend kanë shërbyer vetëm e vetëm për të përfaqësuar interest e pak njerëzve, duke e deformuar vullnetin e qytetarëve, duke e dobësuar fuqinë e tyre, duke deformuar kuptimin e sovranitetit të popullit e duke prodhuar si rrjedhojë kriza politike të cilat e kanë mbajtur vendin peng.
Kur u bëra pjesë e Këshillit Politik, mendova se kishim një shans që ta ndalonim këtë traditë të shëmtuar dhe për herë të parë të prodhonim një produkt i cili do ti shërbentë shumicës së qytetarëve e jo 2 po 3 politikanëve.
Prandaj, duke shfrytëzuar mundësinë që kemi përpara, ju ftoj që ditën e martë, në orën 11:00, të riulemi në tryezë dhe të arrijmë një kompromis, ku baza duhet të jetë fuqizimi i qytetarëvë duke i dhënë përparësi absolute në formulën e përzgjedhjes së deputetëve, votës qytetare e jo preferencës së kryetarëve.
Kjo do të ishte një sinjal nga ana juaj, se keni në fokus qytetarët e jo interesat e ngushta personale. Do të tregonte se ju intereson më shumë Shqipëria e jo partia.
Qytetarët shqiptarë janë duke na ndjekur me shumë vëmendje dhe jam e bindur se do ndëshkojnë rëndë ata të cilët vazhdojnë avazin e vjetër të manipulimit dhe mashtrimit për hir të pushtetit.
Duke shpresuar në një reagim pozitiv, Rudina Hajdari