Presidenti Meta ktheu ligjin për Policinë e Shtetit, Lleshaj: Qeveria duhet ta kontrollojë administratën

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në fjalën e tij në seancën e kësaj të enjte në Kuvend, ka komentuar faktin që Presidenti Ilir Meta ktheu ligjin për Policinë e Shtetit. Ai tha se qeveria kontrollon dhe duhet ta kontrollojë administratën dhe burokracinë, përndryshe sipas Lleshajt, demokracia do të ishte në rrezik.

”Presidenti pretendon se dhënia e kompetencës për mbikëqyrje të veçantë për Policinë e Shtetit rrezikon të shkelë të drejtat e njeriut, për arsye se është në varësi të ministrit të Brendshëm. Demokracitë funksionojnë mbi këtë parim. Qeveria kontrollon dhe duhet ta kontrollojë administratën dhe burokracinë përndryshe demokracia do ishte në rrezik. Edhe ne kur kemi hartuar ndryshimet në ligj dhe Presidenti që e ka kthyer i referohemi të njëjtit nen 221. Në thelb kodi i procedurës penale thotë që duhet të rregullohet veçmas dhe ne kemi rregulluar veçmas me parimet më të mira evropiane dhe i japim policisë më pak atribute. Procedura nën mbikëqyrjen e SPAK dhe SHÇBA-së. Duke e konsideruar aktin e kthimit të ligjit si akt të mirëfilltë politik, pa asnjë brendi juridike, duke theksuar faktin se ky ligj ka kaluar një proces të gjatë diskutimi, filtër diskutimi me partnerët tanë ju ftojmë ta votojmë dhe t’i hapim rrugë zbatimit të tij”,-tha Lleshaj.

SHKARKO APP