Presidenti Meta në Dibër: Ky popull kaq vital e me virtyte nuk duhet të braktiset më
Mijëra qytetarë të Dibrës kanë pritur sot Presidentin Ilir Meta, i cili zhvilloi një vizitë në këtë qark për të dekoruar disa nga figurat e njohura patriotike të zonës. Pamjet në videon më poshtë tregojnë qytetarët e Dibrës që kanë dalë në rrugë për të përshëndetur kreun e shtetit.
Duke vlerësuar mikëpritjen e qytetarëve, në një mesazh në Facebook, Presidenti Meta shprehet se kjo trevë, me malet e saj të lartë ka qenë në shekuj kështjella natyrale e lirisë së shqiptarëve, një nga epiqendrat më të spikatura dhe më të flakta të shqiptarizmit dhe betejave për liri.
Presidenti bën apel për institucionet që të kthejë sytë nga kjo zonë dhe të mbështesë banorët e saj. “Dibra me këtë histori dinjitoze e panoramë mahnitëse dhe me këtë popull kaq vital e me virtyte nuk duhet të braktiset më! Ky shpopullim është i dhembshëm, pasi braktisja e këtyre krahinave tradicionale që kanë qenë burim i identitetit tonë kombëtar e kulturor, mund të jetë fatal për të gjithë kombin. Është momenti që të gjithë të kthejmë më shumë vëmendjen ndaj ruajtjes, jo vetëm të vlerave më të mira të kulturës dhe identitetit tonë kombëtar, por mbi të gjitha për të rikthyer njerëzit dhe rininë në këto troje, që meritojnë të gjallërohen sërish.
KOHA ËSHTË TANI! Faleminderit nga zemra banorëve të mrekullueshëm të Dibrës për pritjen e ngrohtë dhe bujare!”,- shkruan Presidenti Meta në mesazhin e tij.
https://www.facebook.com/1477517792294489/posts/3367509383295311/
FOTO nga vizita e Presidentit Ilir Meta në Dibër