Presidenti Meta: Nuk do të dekretoj asnjë ligj që cenon liritë e njeriut dhe pavarësinë e medias
Presidenti Ilir Meta ktheu në Kuvend sot ligjin që penalizonte mediat me gjoba dhe deri në mbyllje të tyre nga qeveria, nëse shkelnin masat kundër koronavirusit.
Në një reagim në Faceook, Presidenti Meta ka sqaruar se është pro çdo mase që frenon përhapjen e koronavirusit, por nuk mund të tolerojë masa qeveritare që shkojnë kundër të drejtave kushtetuese.
“Përkrah masat kufizuese objektive që ndihmojnë në përballimin dhe tejkalimin sa më parë të pasojave të pandemisë COVID-19. Por nuk do të dekretoj asnjë rregull të ri, që në shpërdorim të procesit legjislativ dhe përmes masave ndëshkuese shproporcionale, cenon liritë dhe të drejtat kushtetuese të njeriut, veçanërisht lirinë dhe pavarësinë e medias”,- shprehet kreu i shtetit në mesazhin e publikuar në rrjetet sociale.
Ditën e sotme Presidenti i Republikës ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin nr. 73/2020 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 20, datë 20.5.2020, të Këshillit të Ministrave, ‘Për disa ndryshime dhe shtesa në aktin normativ nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, ‘Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19’, të ndryshuar”.
Ky ligj është kthyer pasi Kuvendi, pasi përcakton një masë të rëndë administrative fikse, me gjobë 1 milion lekë ose vendosjen e bllokimit, të pjesshëm ose të plotë, të transmetimit nga media audiovizive si dhe bllokimi dhe/ose ndalimi i funksionimit të pajisjeve.
Sipas argumenteve shoqëruese të dekretit, kufizimi për ruajtjen e një distance prej 2 metrash midis të ftuarve në studiot televizive është një masë e detyrueshme dhe e mirëpritur, por sanksioni ndëshkues administrativ është shproporcional. Sipas ligjit, ky sanksion që rrezikon të çojë në ndëshkimin me pa të drejtë të mediave, jo më nga një organ i pavarur, por nga Ministria përgjegjëse për shëndetësinë që përfaqëson vullnetin politik, cenon të drejtën për informim dhe lirinë e shprehjes, të parashikuara në nenet 22 dhe 23 të Kushtetutës.
https://arkiva.kohajone.com/covid-19-meta-kthen-ligjin-qe-ndeshkon-median-gjobat-shproporcionale-cenohet-liria-e-shprehjes-shperdorimi-per-qellime-politike-eshte-real/