Presidenti Meta pajiset me kartën e re të identifikimit: Mos e lini për në çastin e fundit

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i ka bërë thirrje sot shqiptarëve që të rinovojnë kartat e identitetit për zgjedhjet e 25 prillit.

Teksa ka postuar foto kur ka tërhequr dokumentin, kreu i shtetit shtoi se çdo neglizhencë penalizon të ardhmen evropiane të vendit. “Është thelbësore që të gjithë qytetarët me të drejtë vote, të kenë mundësi të marrin pjesë në referendumin historik të 25 prillit. Të votosh është e drejtë, por edhe një përgjegjësi e lartë qytetare. Çdo neglizhencë në këtë drejtim penalizon të ardhmen evropiane të vendit”,- shprehet kreu i shtetit në mesazhin e tij.

Mesazhi i kreut të shtetit në Facebook:

“U paraqita sot pranë zyrës së Gjendjes Civile në Njësinë Administrative nr. 13 në Tiranë, për t’u pajisur me kartën e re biometrike të identitetit ID. Kur na ndajnë edhe 86 ditë nga zgjedhjet e shumëpritura të 25 prillit 2021, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve, të verifikojnë afatin e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit. Rinovimi i tyre është i domosdoshëm.

Mospasja e një karte të vlefshme ID është pengesë serioze për të ushtruar të drejtën kushtetuese të votës. Mos neglizhoni dhe mos e leni aplikimin për në çastin e fundit. Gjithashtu, ju ftoj të verifikoni sa më parë emrin në listën e zgjedhësve, si dhe vendndodhjen e qendrës tuaj të votimit dhe në rast se vini re parregullsi tek të dhënat, paraqituni menjëherë pranë zyrës së Gjendjes Civile në Njësinë tuaj Administrative.

Është thelbësore që të gjithë qytetarët me të drejtë vote, të kenë mundësi të marrin pjesë në referendumin historik të 25 prillit. Të votosh është e drejtë, por edhe një përgjegjësi e lartë qytetare. Çdo neglizhencë në këtë drejtim penalizon të ardhmen evropiane të vendit”, shkruan Meta.

SHKARKO APP