Presidenti Meta: Platforma iu dorëzua Ramës dhe diplomatëve më 8 prill. Synon përshpejtimin e integrimit
Presidenti Ilir Meta deklaroi në një konferencë për mediat deklaroi se platforma që u ka dorëzuar ambasadorëve dhe Edi Ramës synon plotësimin e kushteve për integrimin.
Kreu i shtetit deklaroi se platforma që është bërë publike sot i është dorëzuar Edi Ramës më datën 8 prill dhe diplomatët kanë qenë në dijeni të saj.
Presidenti Ilir Meta është pyetur sot për deklaratën e Ambasadores së SHBA lidhur me reformën në drejtësi. “Ambasadorja e SHBA ka të drejtë, ka 4 vjet që po bëhen lojëra me zbatimin e reformës në drejtësi. Propozimi im me 14 pika synon të gjejë një zgjidhje për problemet që lidhen me integrimin në BE. E kam quajtur Këshilli Politik, mund t’i vënë çfarë do emri të duan. Qëllimi është se këto nisma nuk bëhen pa opozitën reale. Qëndrimet e mia kanë qenë të dokumentuara dhe diplomatët i kanë të njohura”,- tha ndër të tjera Presidenti Ilir Meta.
Platforma e plotë me 14 pika e kreut të shtetit
1- Mazhoranca dhe opozita (parlamentare dhe jo-parlamentare) duhet të përfundojnë me vendosmëri Reformën Zgjedhore, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe konkluzioneve të Këshillit Europian për Çështjet e Përgjithshme.
2- Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të vazhdojë funksionimin, duke përfshirë ndryshimin e akteve nënligjore të tij, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias në draft-opinionin e 6 marsit. Për tre vendet e lira (2 nga Presidenti dhe 1 nga Parlamenti), KED duhet të paraqesë listat e kandidatëve për secilin institucion sipas sekuencës kushtetuese: Presidenti – Parlamenti – Presidenti
3- Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të pajtohet me pjesëmarrjen e Avokatit të Popullit në të gjithë veprimtarinë e tij dhe diskutimet, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin.
4- Mandati i Kryetarit aktual të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi përfundon me emërimin e tre gjykatësve të Gjykatës së Lartë. Kryetari aktual i KED humbet menjëherë të gjitha të drejtat për të vazhduar ushtrimin e mandatit të tij, me vonesë të gjatë, si anëtar i Gjykatës së Lartë, dhe për pasojë si Kryetar i KED.
5- Këshilli i emërimeve në drejtësi vazhdon të funksionojë sipas ligjit, kryesohet nga Nënkryetari.
6- Parlamenti Shqiptar merret menjëherë me çdo boshllëk ligjor, në mënyrë që Presidenti dhe Parlamenti të plotësojnë vendet e mbetura bosh në KED brenda 1 viti kalendarik.
7- Parlamenti Shqiptar tërhiqet nga çdo iniciativë ligjore që ndryshon formatin dhe procedurën e betimit në detyrë të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarët e tjerë të lartë të sistemit gjyqësor.
8- Parlamenti Shqiptar tërhiqet nga “Paketa Anti-shpifje” dhe nga çdo nismë e ngjashme ligjore në të ardhmen.
9- Çdo ndryshim ligjor ose kushtetues që lidhet me reforma gjyqësore duhet të bëhet vetëm përmes konsensusit unanim të Këshillit Politik.
10- Në kuadrin e Këshillit Politik, partitë bien dakord brenda qershorit për të emëruar Shef-Negociator për anëtarësimin në BE, një ekspert të nivelit të lartë, integriteti, besueshmëria dhe profesionalizmi i të cilit është i pajtueshëm nga të gjitha palët.
11- Të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore, dhe sa më shpejt të jetë e mundur.
12- Këshilli i Lartë Gjyqësor Këshilli i Lartë i Prokurorisë miraton menjëherë hartën e re gjyqësore për rishpërndarjen e burimeve njerëzore brenda sistemit të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatat e Shkallës së Parë, dhe vazhdohet me plotësimin e vendeve bosh të krijuara nga dorëheqjet ose Vetting-u.
13- Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të përcaktojë parësore mbingarkesën e Gjykatës Administrative të Apelit, dhe të propozojë masat e nevojshme që lejon një proces të rregullt brenda afatit kohor (1 muaj) në këtë Gjykatë.
14- Parlamenti Shqiptar duhet të shqyrtojë pa interes politik, kandidatët e propozuar nga Presidenti i Republikës për Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/723500394860851/