Presidenti Meta pret ambasadorin egjiptian: Punë e lavdërueshme midis dy vendeve
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka pritur sot në një takim ambasadorin e Republikës Arabe të Egjiptit, me rastin e përfundimit të mandatit të tij në Shqipëri. Kreu i shtetit e ka falenderuar ambasadorin për punën e lavdërueshme që ka bërë për forcimin e marrëdhënieve shumë të mira historike midis dy vendeve.
”Me Egjiptin kemi lidhje të veçanta historike e tradicionale dhe ne jemi krenarë për rolin e pazëvendësueshëm në formimin e shtetit të Egjiptit të shqiptarit të famshëm Mehmet Ali Pasha, si edhe për veprimtarinë e kontributin e patriotëve dhe atdhetarëve tanë të shquar të cilët krijuan në Egjipt vatrat e para të lëvizjes kombëtare shqiptare.
Shqipëria e konsideron Egjiptin një partner shumë të rëndësishëm në rajonin e Mesdheut dhe të Lindjes së Mesme, si dhe i kushton një rëndësi të madhe zgjerimit të marrëdhënieve në të gjitha fushat me interes reciprok.
Shqipëria mund të jetë një portë hyrëse e produkteve dhe investimeve egjiptiane drejt Ballkanit, dhe në këtë aspekt forcimi dhe konkretizimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve tona është i mirëpritur”.