Presidenti Meta takohet me Bashën
Zhvillimet e fundit politike ku kryeministri Rama po ndryshon Kushtetutën në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensus ka sjellë reagime të shumta nga brenda vendit, por dhe nga BE. Ndaj Presidenti Meta zhvilloi një takim me Lulzim Bashën, liderin e opozitës.
Mësohet se në takim me kreun e shtetit, kryedemokrati Basha shoqërohet nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.
Një ditë më parë, Partia Socialiste bashkë me votat e opozitës parlamentare kanë eliminuar ekzistencën e koalicioneve parazgjedhore. Në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve, u miratua ndryshimi kushtetutes, sipas të cilit në zgjedhjet parlamentare nuk do të ketë koalicione parazgjedhore.
Në amendamentin që mori votat e të gjithë deputetëve, saktësohet se “kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike ose nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese”.
Në ndryshimin e miratuar nuk ekziston fjalia taksative e këkuar nga opozita parlamentare që në Kushtetutë të theksohet ndalimi i koalicioneve parazgjedhore. Ndërkohë rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në Kodin Zgjedhor.
Në ndryshimet kushtetuese u sanksionua kalimi pjesërisht me lista të hapura të kandidatëve për deputetë në zgjedhje. Por është bërë kujdes që listat të mos jetë tërësisht të hapura, pasi është saktësuar se “ligji për zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumemërore dhe të sigurojë përfaqësim gjinor”.