Presidenti Meta takon kryenegociatorin Zef Mazi: Integrimi europian është objektiv mbarëkombëtar
Presidenti Ilir Meta ka pritur sot në një takim në Presidencë kryenegociatorin e emëruar nga qeveria për negociatat me BE, Zef Mazi.
Në një mesazh në Facebok, Presidenti Meta shprehet se me diplomatin Zef Mazi ka diskutuar për çeljen e negociatave dhe procesin e integrimit të vendit në BE. Duke e siguruar për mbështetjen e institucionit të Presidentit në këtë detyrë, kreu i shtetit shprehet se integrimi në BE është objektiv mbarëkombëtar.
“Kënaqësi të prisja sot në takim Ambasador Zef Mazin, i emëruar nga Qeveria Kryenegociator për zhvillimin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Diskutuam hapur e në mënyrë konstruktive për perspektiven e çeljes së negociatave.
Ndërsa politika jonë duhet të tregojë vullnet për plotësimin e kushteve, është e rëndësishme përgatitja teknike dhe rritja e kapaciteteve negociuese. E sigurova për mbështetjen e plotë në detyrën e tij nga institucioni i Presidentit të Republikës. Integrimi europian është objektiv mbarëkombëtar”,- shprehet Presidenti Ilir Meta.