Presidenti Meta takon Presidentin e Senatit Amerikan: SHBA partneri ynë strategjik
Presidenti i Republikës, Ilir Meta u prit në një takim të posaçëm nga Presidenti i Senatit Amerikan, Senatori Orrin Hatch. Kreu i Shtetit i shprehu Presidentit të Senatit, mirënjohjen për ndihmën e deritanishme që SHBA-ja dhe Senati në veçanti, i kanë dhënë Shqipërisë në procesin e reformave të brendshme në drejtim të forcimit të shtetit ligjor dhe të demokracisë në vend.
“Shqipëria dhe shqiptarët”,-nënvizoi Presidenti Meta, ”nuk do të harrojnë kurrë ndihmën jetike që SHBA-ja u ka dhënë atyre gjatë gjithë historisë”. Në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, Meta theksoi se ky dialog “duhet të garantojë të ardhmen europiane të dy vendeve”.
”Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, nënvizoi Meta, “është partneri kryesor strategjik i Shqipërisë dhe ne mbetemi tërësisht të angazhuar për forcimin dhe konkretizimin e partneritetit strategjik në të ardhmen, me interes të përbashkët të dy vendeve tona. Shqipëria është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal, si e vetmja rrugë për forcimin e sigurisë e stabilitetit por edhe mirëqenies së popujve tanë, që kanë vuajtuar aq shumë nga konfliktet e të shkuarës. SHBA ka një rol të pazëvendësueshëm në arritjet e deritanishme të Ballkanit në drejtim të paqes e stabilitetit. Angazhimi i tyre edhe në të ardhmen është i domosdoshëm për të mos cënuar arritjet e deritanishme. Shqipëria mbështet politikën e “dyerve të hapura” të NATO-s, e pas anëtarësimit të Malit të Zi, urojmë që edhe Maqedonia të bëhet anëtare e Aleancës”,-tha më tej Presidenti Ilir Meta.
Presidenti i Senatit Amerikan, Orrin Hatch shprehu kënaqësinë e veçantë për takimin me Presidentin Meta, duke vlerësuar lart miqësinë e fortë mes dy vendeve tona dhe shprehu mbështetjen e Senatit për forcimin e marrëdhënieve të gjithanshme midis dy vendeve, jo vetëm në interesin e përbashkët por edhe në dobi të paqes e zhvillimit të rajonit tonë.
KOHA JONË SONDAZH

