Presidenti Meta: Të prekurit nga diabeti, në mjerim dhe varfëri, të mbështeten e të mos braktisen nga shteti

Në ditën Botërore të luftës kundër Diabetit, Presidenti Ilir Meta shprehet se kjo ditë e gjen Shqipërinë me rreth 75 mijë qytetarë, të cilët vuajnë nga diabeti i tipit 2 dhe tipit 1.

Në në postim në facebook, kreu i shtetit apelon për mbështetje ndaj kësaj kategorie, sidomos në këto ditë pandemie.

“Sot, Dita Botërore e luftës kundër Diabetit, e gjen Shqipërinë me rreth 75 mijë qytetarë, të cilët vuajnë nga diabeti i tipit 2 dhe tipit 1. Ndërkohë që konstatohet edhe një rritje e numrit të fëmijëve të prekur prej saj. Një nga kërkesat e drejta, por të pazgjidhura ende, është ribursimi për kategoritë më në nevojë, që për shkak të kushteve të vështira ekonomike e kanë të pamundur përballimin e kostove të larta të mjekimit. Në situatën e pandemisë COVID-19, situata në të cilën ata ndodhen duhet parë me përparësi absolute, nëpërmjet paketave konkrete të ndihmës ekonomike, të dedikuara në parandalimin e përkeqësimit të mëtejshëm të shëndetit të tyre.
Të prekurit nga diabeti, në mjerim dhe varfëri, të mbështeten dhe të mos braktisen nga shteti”,- shkruan kreu i shtetit në postimin e tij në Facebook.

SHKARKO APP