Presidenti Meta tregon planin që kishte për një mandat të dytë
Gjykata Kushtetuese pritet që të japë këtë të hënë vendimin për shkarkimin ose jo të presidentit Ilir Meta. Në ”A2cnn”, ai zbuloi të tjera plane, për të cilat theksoi se i kishte deri para 25 prillit, ku iu mbajtën zgjedhjet e fundit. Ai tha se deri në atë datë kishte menduar për një mandat të dytë si president dhe më pas të futej në rrugën e diplomacisë.
”Që pas 25 prillit, mezi pres 24 korrikun. Më herët, unë kisha një plan tjetër. Kisha në plan për një mandat të dytë si president dhe pastaj të largohesha nga politika, t’i hyja një karriere të re, asaj të diplomacisë. Me dëshirën që të rikuperojmë disa dëme që i janë bërë kushtetutës, por edhe për institucionin e Presidentit të Republikës për të ardhmen, jo për Ilir Metën”.
I pyetur nëse do të kishte dashur të votohej nga populli për një mandat të dytë? ”Unë kam dashur që të votohesha nga populli edhe para 3 vitesh, kur u krijua kriza e djegies së mandateve, kur u krijua kriza e zgjedhjeve lokale. Unë kam thënë se e vetmja zgjidhje është vota. Unë respektoj votën e sovranit. Planet e mia ndryshua sepse themelet e Republikës janë goditur shumë rëndë. Këtu duhet të bëhet një ndryshim nga themelet”.