Presidenti Meta uron Briken Caljan: Sukses i merituar! Faqezinjtë e politikës sonë nuk e kanë arritur dot!

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka uruar peshëngritësin Briken Calja për dy medaljet që mori në Kampionatin Europian të Peshëngritjes në Moskë.

Postimi i plotë i Presidentit Ilir Meta

Kënaqësi e veçantë të uroja nëpërmjet një bisede telefonike Kampionin kuqezi, Briken Calja për fitoren e Medaljes së Argjendit në shtytje dhe të Bronzit në dygarësh, në Kampionatin Europian të Peshëngritjes në Moskë.
Një tjetër sukses i merituar personal dhe një ngjarje e madhe për peshëngritjen tonë, që për të pestin vit radhazi siguron medalje në garat ndërkombëtare konkurruese, falë talentit, punës e përkushtimit të Kampionit Calja dhe trajnerit të tij të madh Gerald Toska.
Sportistë të kalibrit të tij na lumturojnë, na nderojnë dhe na bëjnë krenarë të gjithëve. Ata janë jo vetëm model frymëzimi për gjeneratat e reja, por edhe ambasadorët tanë më të mirë në botë.
Duhet t’u jemi përherë mirënjohës dhe mbështetës të gjithë sportistëve elitarë kuqezinj si Brikeni, të cilët e lartësojnë flamurin dhe imazhin e Shqipërisë, aty ku faqezinjtë e politikës sonë nuk kanë arritur dot.
Jam i bindur se sukseset më të mëdha të Kampionit tonë të peshëngritjes do të jenë ato të radhës.🥈🥉🏋️‍♂️🇦🇱

SHKARKO APP