Presidenti Meta: Venecia tregoi se kush janë shkelësit e Kushtetutës dhe abuzuesit me ligjet
Presidenti Ilir Meta deklaroi sot në një konferencë për mediat se Komisioni i Venecias ka sqaruar gjithë arsyet dhe fajtorët e përplasjes institucionale për çështjen e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.
“Kërkoj vetëm pak minuta kohë për të sqaruar sipas Venecias, jo sipas Presidentit të Republikës, se cilat kanë qenë qëndrimet e Presidentit në raport me Kushtetutën dhe ligjet. Komisioni i Venecias konfirmoi qartë se shkaku i përplasjes ishin qëndrimet e ish-kryetarit të KED, Ardian Dvorani. Komisioni i Venecias thotë qartë se dërgimi i listave dhe procedura e ndjekur ishin në kundërshtim me ligjin”,– tha kreu i shtetit.
Presidenti shtoi se Komisioni i Venecias ka vënë në dukje dhe mungesën e transparencës në mbledhjet e saj dhe në procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve.
Presidenti Meta tha se ekspertët e Venecias kanë sqaruar dhe çështjen e betimit të një gjyqtari të lartë. “Venecia thotë së betimi i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese bëhet vetëm para Presidentit të Republikës dhe është parakusht për nisjen e detyrës”,- deklaroi kreu i shtetit.
Video/Konferenca për mediat e Presidentit të Republikës
https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/297826681372509/