Presidenti Nishani dekoron ambasadorin italian

 

Në një ceremoni të veçantë solemne të mbajtur sot në Institucionin e  Presidentit të Republikës, në praninë e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe autoriteteve shqiptare,  Kreu i Shtetit Bujar Nishani, me rastin e largimit të Ambasadorit të Republikës Italiane, Massimo Gaiani e vlerësoi me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë diplomatike dhe kontributit të tij të çmuar në përparimin e gjithanshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe zbatimin e suksesshëm të Partneritetit Strategjik mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Italiane; për mbështetjen e pakursyer të procesit të integrimit evropian të vendit tonë; për ndihmën efikase në avancimin e reformave kyçe, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe reformën në drejtësi; si dhe për forcimin dhe pasurimin e mëtejshëm të shkëmbimeve kulturore mes dy popujve tanë”.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast Presidenti i Republikës, SH.T.Z Bujar Nishani e cilësoi këtë si një ceremoni të veçantë mirënjohje për një Ambasador italian dhe një mik të mirë të shqiptarëve: “i cili në katër vjet të misionit të tij diplomatik në Shqipëri, përmes një agjende ambicioze dhe shumë aktive, ka arritur t’i dinamizojë më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve, duke i forcuar e thelluar ato më tej.”  

Në vlerësim të kontributit të suksesshëm, personal dhe profesional të ambasadorit Kreu i Shtetit theksoi se: “Gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri Ambasadori Gaiani ka krijuar profilin e një miku të mirë dhe diplomati profesionist. Angazhimi i tij është shumëplanësh, duke filluar nga marrëdhëniet diplomatike tradicionale e deri tek diplomacia ekonomike, kanë bërë që ai të jetë një bashkëbisedues dhe mik i shqiptarëve në të gjithë vendin. Por, përtej të gjitha këtyre, mendoj se roli dhe aktiviteti i Ambasadorit Gaiani nuk mund të ishin ndryshe. Ato reflektojnë saktësisht nivelin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, të cilat janë historike dhe shumë të veçanta.”

Më pas Presidenti Nishani u ndal tek vizita shumë e suksesshme në Shqipëri, e ish-Presidentit italian Giorgio Napolitano me të cilin pati kënaqësinë që të ndante një numër të madh çështjesh dypalëshe e shumëpalëshe duke theksuar se: “Mesazhet kuptimplote dhe inkurajuese të Presidentit Napolitano për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe veçanërisht premtimi se, së bashku do të fitojmë kauzën për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, na kanë inkurajuar më shumë në rrugën e reformave dhe na kanë forcuar më shumë besimin në të ardhmen tonë evropiane. Gjithashtu, kujtoj me kënaqësi bisedën e zhvilluar me Kryeministrin Matteo Renzi në fund të vitit që shkoi, por edhe me Ministrin e Brendshëm Alfano dhe Ministrin e Drejtësisë Orlando. Në të gjitha këto takime kam konstatuar mbështetjen e fuqishme të Italisë për Shqipërinë dhe shqiptarët.”

“Prandaj dhe përfitoj nga rasti që të shpreh mirënjohjen e thellë për ndihmën e pakursyer që Italia i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve që prej ndryshimeve demokratike në fillim të viteve ’90. Pritja bujare e dinjitoze e emigrantëve shqiptarë në vitet e para post-komuniste, kushtet dhe mundësitë e krijuara për mijëra të rinj shqiptarë që të ndjekin studimet në Itali, si dhe ndihma e gjithanshme ekonomike, financiare teknike, meritojnë së paku mirënjohjen tonë të thellë. Italia mbetet partneri i parë tregtar dhe një nga kontributorët më të rëndësishëm për zhvillimin e vendit. Investimet dhe investitorët italianë kanë qenë ndër të parët që eksploruan tregun shqiptar pas hapjes së Shqipërisë dhe sot jemi krenarë që Shqipëria është bërë shtëpia e dytë e mijëra ndërmarrësve e ekspertëve italianë.” – tha në vazhdim të fjalës Presidenti Nishani.

 “Edhe në kuadrin e procesit të integrimit evropian, Italia ka qenë një ndër avokatet më të mira të Shqipërisë dhe nëse sot jemi vend kandidat në Bashkimin Evropian, kjo ka ndodhur edhe falë ndihmës bujare e të gjithanshme të Italisë. Mbështetja dhe ndihma për avancimin e reformave kyçe, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe reformën në drejtësi, kanë dhënë frytet e tyre dhe kanë bërë që Shqipëria të avancojë më shumë drejt Bashkimit Evropian.” – nënvizoi Kreu i Shtetit.

Në mbyllje Presidenti i Republikës i uroi ambasadorit Massimo Gaiani shëndet e gjithë të mirat në jetën e tij personale, si dhe shumë suksese në detyrën e tij të re e impenjative, në Ministrinë e Punëve të Jashtme italiane.

SHKARKO APP