Presidenti Nishani: Po përgjohem unë dhe familja

Kreu i shtetit lëshoi dje një deklaratë të fortë në vijim të përplasjes me mazhorancënKreu i shtetit u shpreh mbrëmë se institucione dhe individë brenda këtyre institucioneve po hetojnë dhe përgjojnë jetën e tij dhe familjes së tij. “Nuk do të desha që kryeministri të ishte i përshirë. Nuk e kam vënë në dijeni Prokurorinë sepse s’ka reflektuar pavarësi.”

Institucione dhe individë brenda këtyre institucioneve kanë nisur të përgjojnë dhe hetojnë për jetën private të presidentit dhe familjes së tij. Deklarata e fortë u bë dje nga presidenti Bujar Nishani në “Opinion” të Blendi Fevziut. Nishani u duk se përjashtoi kryeministrin nga ky akt i paligjshëm dhe skandaloz nëse vërtetohet, duke thënë se “nuk do të desha që kryeministri të ishte i përfshirë në këtë akt.”

Por më tej kreu i shtetit, i pyetur se a e ka vënë në dijeni Prokurorin e Përgjithshëm për këtë përgjim, tha se “natyrisht, për sa kohë drejtësia nuk mund të reflektojë një angazhim të plotë e të pavarur, unë s’mund ta çoj”.

Presidenti ishte i prerë kur tha mbrëmë se nuk ishte i ndikuar në vendimmarrjen e tij nga afërsia e mëparshme me PD-në dhe me ish-kryeministrin Berisha. “Të gjithë e dinë, madje dhe kundërshtarët e tij më të egër politikë se Berisha respekton pavarësinë e institucioneve dhe vendimmarrjes së titullarëve”, – tha ai.

Nishani nuk preferoi të komentonte për aferën apo akuzat e CEZ-it.

Marrëdhëniet me kryetarin e Kuvendit, Meta, ai i quajti institucionale.

Në marrëdhëniet e politikës së jashtme, kreu i shtetit përshëndeti shtensionimin e raporteve me Serbinë, por shtoi se Shqipëria nuk mund të jetë dhe shërbejë si make up i Serbisë. Sipas tij, Shqipëria ka interesin e saj dhe në politikën e jashtme duhet të udhëhiqet nga ky interes. Në këtë kontekst, ai mori si shembull situatën e shqiptarëve në Presheva. “Shqipëria po shërben si make up për Serbinë, sepse dialogu po zhvendoset nga ai i Serbisë me Kosovën te Serbia me Shqipërinë”.

Tkurrjen e kompetencave të Presidentit, Nishani e cilësoi si një qëndrim të përhershëm të mazhorancës. “Kuvendi ka të drejtë të ndryshojë kompetencat edhe të Presidentit, por këtë duhet ta bëjë me ndryshime kushtuese, nuk mund të ndryshohen këto kompetenca me ndryshime ligjore”.

Nishani gjykoi se drejtësia dhe korrupsioni i saj janë një situatë shumë problematike. “Meriton një reformim të thellë por të shkëputur nga retorika boshe”. Sipas tij ka korrupsion të fortë në drejtësi, por të korruptuarit s’duhen bërë ortakë të rinj. Nishani tha se nuk sheh vullnet për të bërë reformën në drejtësi. Ai shtoi se dokumenti i parë analitik është produkt i qëndrimeve politike dhe s’ka të bëjë fare me drejtësinë. “Mbetem shpresëplotë që të shoh dokumentin final”.

SHKARKO APP