Presidenti nuk pranon të paraqitet në Komisionin Hetimor, Bushka: Kuvendi legjitim, e ka thënë dhe Komisioni i Venecias

Maxhoranca deklaron se qëndrimi i Presidentit të Republikës Ilir Meta do të merret parasysh për vlerësimin përfundimtar të Komisionit parlamentar hetimor për shkarkimin e tij. Pas përgjigjes negative të Presidentit për të marrë pjesë në seancë dëgjimore në komision, nënkryetarja Klotilda Bushka deklaroi se komisioni vepron në bazë të veprimit të seancës së Kuvendit për ngritjen e tij dhe se legjitimitetin e Kuvendit e ka njohur dhe Komisioni i Venecias.

“Mungon vullneti i Presidentit për të marrë pjesë në këtë komision sepse nuk e njeh dhe e konsideron këtë procedurë fiktive dhe që po keqpërdoret nga ana e maxhorancës. Pra fajtori është prapë Kuvendi dhe komisioni hetimor që po vepron në përputhje me Kushtetutën, po zbaton detyrat nga sovrani, Kuvendi, për një çështje që është e një rëndësie edhe më të madhe, sepse flitet për arsyet e shkarkimit të kërkuar. Del qartë se në shkresë në kemi vullnetin e qartë të Presidentit për të mos marrë pjesë dhe për të mos u bindur këtij detyrimi.
Mendoj që nuk është e nevojshme të vijojmë me hapat e tjerë. Sepse sipas kodit çdo lloj qëndrimi i personit do të mbahet në konsideratë në vlerësimin e hetimit dhe vlerësimin përfundimtar që do i bëhet. Të gjitha këto akte do merren në konsideratë. Kjo është përgjigjja e asaj që ju kërkuat. Në komisionin e mëparshëm Presidenti ka marrë pjesë. Pra i njëjti Kuvend.
Ne veprojmë në bazë të veprimit të seancës së Kuvendit për ngritjen e komisionit. Jemi legjitimë. Të gjitha pretendimet për mosnjohjen e legjitimitetit të Kuvendit janë të ezauruara. Për sa kohë Komisioni i Venecias në opinionin për ndryshimin e Kushtetutës, për sistemin zgjedhor e ka thënë e zeza mbi të bardhë që Parlamenti është legjitim. Për ne rëndësi ka të garantohen të drejtat e palëve në këtë proces, ne i kemi ezauruar”, deklaroi Bushka.

SHKARKO APP