Presidenti, opozita berishiane dhe Parlamenti
Nga Spiten Prulli-
Dje Presidenti i Republikës, Bajram Begaj nuk u lejua nga grupi Bardhi-Berisha që të fliste në parlament.
Një gjest i rëndë nga deputetët opozitarë. Natyrisht ata, pra deputetët e PD-së reale, donin t’i thonin me shumë ambasadorëve të huaj përendimorë, të cilët ishin ftuar në seancën e parë parlamentare të vitit 2024 se “shikoni ku gjendet opozita e vertetë nga presioni dhe loja e pushtetit”.
Ndonëse, për të qenë realist, kështu kanë vepruar përherë pushtetet në Shqipëri prej vitit 1992 e këtej. Kanë vepruar gabim dhe në mënyrë antidemokratike. Në vitin 1993 ishte pikërisht Berisha si President fuqiplotë që arrestoi liderin e PS. Po kështu ishte me vonë Fatos Nano, pas vitit 1997, që ndikoi fort në përçarjen e PD-së, duke dalë partiza nga Selia Blu, të cilat PS-ja e kohës i njihte si faktorë opozitarë.
Prapë kur erdhi në pushtet Sali Berisha si kryeministër punoi fort për ndarjet në PS, duke suportuar LSI-në, kundra Edi Ramës.
E kështu po vazhdon traditën e keqe edhe sot PS-ja kundra PD-së.
Selia Blu e ka fajin vetë, pasi u sakatuan me njeri tjetrin brenda PD-së, duke u bërë gazi i miletit. Lulzim Bashën në krye të PD-së nuk ua zgjodhi Edi Rama. Kryeministri vazhdoi të njëjtën traditë përçarje, siç kishin bërë dikur Berisha dhe Nano.
E theksojmë se nuk është normale, por nëse shikon se çfarë ndodh në SHBA me ish-presidentin Trump, të cilin po mundohet pikërisht pushteti në fuqi, që ta eleminojë në fletën e votimit final për President; kjo e Tiranës nuk është ndonjë çudi e madhe.
Kur një opozitë bëhet e besueshme dhe ka motiv popullor, ajo të merr përpara me turma. Jo të jetë Edi Rama kryeministër fuqiplotë, por edhe Zoti drithërohet kur turmat dalin në shesh me zemërimin e justifikuar se padrejtësia po u merr frymën.
Berisha mund të gjykohej pa arrest, ndonëse nëse nisemi nga mosparaqitja në gjykatë në shenjë demonstrimi force, SPAK-u u detyrua të vepronte. Edhe për të ruajtur dinjitetin e Institucionit.
Kjo është sot situata reale në parlament dhe në politikë; një opozitë e përçarë, por që përpelitet të gjejë mes vetes factor përbashkimi dhe nga ana tjetër një pushtet fuqiplotë i kryeministrit Rama.
Ndërkohë Kryetari i Shtetit akoma nuk ka folur. Ai, me sa duket, do të jepte mesazhet e tij në Kuvend, në një vend ku tymi dhe bilbilat, janë lajmi.
Opozita duhej ta dëgjonte Presidentin e Republikës, paçka se nuk ishin dakort me disa veprime të tij si Kryetar Shteti. Fakti që e refuzuan kaq dhunshëm, bile duke e akuzuar si pjesë të qeverisë Rama, ka mbyllur çdo shteg për opozitën që ti drejtohej një Institucioni kushtetues që të ndërhynte duke thirrur palët në konflikt.
Ishte Ilir Meta president, dhe që nuk e donte Edi Rama, por formalisht kryeministri ka shkuar në selinë e presidencës kur e ka kërkuar kryetari i Shtetit. Apo PS e ka dëgjuar në parlament, kur Ilir Meta donte të jepte mesazhe, edhe kur Edi Rama nuk e pëlqente.
Grupimi më i madh i deputetëve opozitarë ka të drejtë në kërkesat e tyre për komisionin hetimor parlamentar. Kanë të drejtë për Komisionin e Reformës Zgjedhore. Kanë të drejtë për emrin dhe siglën e PD.
Nuk kanë të drejtë, me kohë, që nuk mbajtën fjalën për protesta masive para kryeministrisë. Bile Berisha disa herë premtonte se “do të bëhej nami nga populli i revoltuar para kryeministrisë”, por tashmë “populli” ka përfunduar të “rrugica e Salës”.
Opozita kur nuk ka zgjidhje tjetër, i drejtohet popullit. Por problemi mbetet a mblidhet më populli opozitar me thirrjen e Berishës apo të Gaz Bardhit! Sinjali më i keq ishte ditën kur parlamenti po votonte arrestimin e Berishës dhe përjashta seancës kishin ardhur jo me shumë se 700 veta! Atë ditë u mendua se do të bëhej hataja nga demokratët, bile kishte frikë se mos do të hynin edhe në parlament, por asgjë nuk ndodhi.
Ndaj themi se opozita është në ditë të hallit, shumë prej vetes dhe po kaq prej pushtetit.
Edhe ideja e Agron Gjekmarkajt për t’u bashkuar të gjithë në një Federatë të djathtë, por natyrisht me një tjetër lider, duket se ka gjetur ftohtësi nga grupi i deputetëve të Berishës.
Deri kur të gjejnë formulën e përbashkimit masiv opozitar, deri kur të ngjallin besim dhe shpresë në popull, deri kur të vendosin të përballen me regjimin në shesh apo në Bulevardin kryesor të Tiranës, kjo opozitë do mbetet në gjendje kome.