Presidenti serb deklaron: Duam të fitojë Edi Rama!

Aleksandër Vuçiç shprehet i shqetësuar për fatin e kryeministrit shqiptar, pasi sipas tij sondazhet serioze ndërkombëtare tregojnë se diferenca mes opozitës dhe qeverisë është 1 për qind. Por ndërhyrja në punët e brendshme të Shqipërisë të presidentit serb ka marrë përgjigjen e prerë nga presidenca shqiptare: “Se kukull e kujt është Rama kjo dihet, ndaj më 25 prill ai do të marrë gjykimin e popullit të Shqipërisë. Por rruga e Shqipërisë pas zgjedhjeve do jetë vetëm Bashkimi Europian”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka dalë në mbështetje të Edi Ramës për të fituar mandatin e tretë në Shqipëri. Në një intervistë dhënë për median serbe, Vuçiç thotë se është duke ndjekur zgjedhjet në Shqipëri me interes përballë Edi Ramës është Lulzim Basha, që sipas tij kërcënon interesat e Serbisë. “Pas Lulzim Bashës qëndron Sali Berisha dhe ju e dini, e gjithë historia pas saj, nga veriu i Shqipërisë, me gjithë barrën e së kaluarës, por kjo është çështje e tyre. Dhe sigurisht që unë jam krenar që jam pengesa e tyre më e madhe sepse ata flasin hapur për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Dhe ata flasin hapur për këtë gjë dhe askush nuk reagon”,- ka thënë Vuçiç. Presidenti serb publikon dhe të dhëna nga sondazhet e tij që rrëzojnë gjithë sondazhet e Edi Ramës. Sipas tij, diferenca mes PD dhe PS në Shqipëri është 1 deri në 3 përqind. “Unë jam duke ndjekur nga afër hulumtimet e opinionit publik, dhe dallimi është rreth 2 përqind dhe unë nuk përcjell sondazhe jo serioze të hulumtimit publik po ato që janë shumë serioze. Dhe në fakt dallimi është nga 1 në 3 përqind”,- ka thënë Vuçiç.

Deklarata e Vuçiç është ndër të vetmet kur një president serb ndërhyn për zgjedhjet në Shqipëri. Shprehjet e tij për fushatën elektorale në Shqipëri, pavarësisht dozave të nacionalizimit serb për Shqipërinë e madhe, kanë si qëllim të ndihmojnë vetëm Edi Ramën. Vuçiç sheh si rrezik të interesave të Serbisë ndryshimin e pushtetit në Shqipëri ndaj ka vendosur t’i japë një dorë kryeministrit Edi Rama. Të njëjtën gjë bëri dy ditë më parë dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili u bëri thirrje anëtarëve të minoritet maqedon në Shqipëri të votojnë Edi Ramën. Në rastin e Vuçiç mbështetja që i jep Edi Ramës është edhe më shqetësuese. Presidenti serb e ka ndërtuar gjithë karrierën e tij politike kundër Kosovës dhe ka qëllim mosnjohje e saj. Vuçiç e quan shpesh mik Edi Ramën dhe duket se ka të drejtë. Asnjë kryeministër tjetër shqiptar nuk u ka shërbyer interesave serbe kundër Kosovës sa Edi Rama.  Së bashku me Edi Ramën u përfshinë në projektin e ndarjes së territoreve dhe e çuan çështjen e copëtimit të Kosovës në autoritet me të larta të SHBA dhe BE. Denoncimet e politikanëve të Kosovës për lojën e Edi Ramës me Vuçiç kundër Prishtinës zyrtare janë dëshmitë të një tradhtie kombëtare nga Tirana. Projekti i minishengenit ballkanik, i nisur me Edi Ramën dhe Aleksandër Vuçiç duke lenë jashtë Kosovën, është një tjetër dëm që Rilindja u bëri interesave kombëtare. Në këto tetë vite, kryeministri Edi Rama ka dëmtuar interesat kombëtare dhe Kosovën në veçanti si asnjë lider tjetër shqiptar në 30 vite. Marrëdhënia e tij speciale me presidentin serb, në vend të shërbente për njohjen e Kosovës nga Beogradi, është përdorur për të diskutuar ndarjen e territoreve dhe izolimin ekonomik të shtetit tjetër shqiptar në Ballkan. Në këto tetë vite, Edi Rama i dha mundësinë Vuçiç të shfaqej si lider normal, si një serb jo nacionalist që donte paqe në ballkan, kur në fakt Serbia nuk ka kërkuar ende falje për krimet në Kosovë. Ndaj ikja e Edi Ramës ka alarmuar Beogradin. Me humbjen e Ramës në zgjedhje, Vuçiç humbet një mik personal që e ka përdorur sa herë i është dashur kundër Kosovës. Alarmi i serbëve për Ramën vjen edhe sepse me humbjen e Rilindjes në Tiranë, u jep fund eksperimenteve me copëtim kufijsh dhe projekteve që e kthejnë Serbinë në qendrën kryesore vendimmarrëse në Ballkan. Ndaj Vuçiç ndërhyri dje në fushatën elektorale në Shqipëri duke mbrojtur Edi Ramën si “propeperëndimor” dhe sulmoi Lulzim Bashën. Deklarata e Vuçiç shqiptarëve duhet t’u shërbejë për një gjë kryesore. Kur presidenti serb kërkon që në pushtet të jetë sërish Edi Rama, kjo nuk është gjë e mirë as për Shqipërinë dhe sigurisht as për Kosvën. Kaq mjafton për të kuptuar se kujt i intereson qëndrimi në pushtet i Ramës.

Mili Xhani

SHKARKO APP