Presidenti: Të hetohet dhuna dhe shantazhi policor ndaj gazetarit në Shëngjin

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për shoqërimin në polici në mënyrë të paligjshme të gazetarit të “Report Tv”, Ervis Hila. Kreu i shtetit ka publikuar pamjet e momentit kur policia shoqëron pa arsye gazetarin dhe kërkon që kjo ngjarje të hetohet nga institucionet e drejtësisë.

“Dënoj me forcë rastet e përsëritura të dhunës, shantazhit dhe kërcënimit policor mbi gazetarët në krye të detyrës, siç është edhe rasti i fundit i shoqërimit pa asnjë shkak të justifikuar ligjor të gazetarit z.Elvis Hila, i cili po raportonte për aksionin e IKMT në Shëngjin. Duke shprehur solidaritetin e plotë me z.Hila, inkurajoj të gjithë gazetarët t’i shërbejnë me guxim, kurajë e profesionalizëm dhe transparencë informimit publik, bazuar vetëm mbi faktet dhe të vërtetat”,- shprehet kreu i shtetit.

Presidenti Meta deklaron se ngjarja ndaj gazetarit duhet të zbardhet e plotë dhe autorët të mbajnë përgjegjësi ligjore.

I bëj thirrje Policisë së Shtetit të tregojë profesionalizëm, të respektojë ligjin, lirinë dhe të drejtat e gazetarëve dhe të distancohet nga praktikat abuzive që na kthejnë pas në kohët më të errëta të dhunimit të të drejtave të njeriut, që e dëmtojnë rëndë imazhin e saj dhe të Shqipërisë. Apeloj zbardhjen e plotë dhe hetimin me përgjegjshmëri maksimale të kësaj ngjarjeje dhe ndëshkimin pa hezitim të autorëve të këtij akti, si dhe të gjithë atyre që në mënyrë të përsëritur frymëzojnë dhunën, shantazhet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve”,- deklaron Presidenti Ilir Meta.

Gazetari i Report TV, Elvis Hila është shoqëruar nga policia teksa ishte në krye të detyrës, për të raportuar për aksionin e IKMT në Shëngjin, ku u prishën disa ndërtime pa leje. Duke mos e lejuar të bëjë detyrën, për të informuar publikun, gazetari denoncon se shefi i Rendit në komisariatin e policisë Lezhë, Agron Qullhaje i ka marrë telefonin dhe e kanë shoqëruar forcërisht. Ndërkohë që në momentin që policia i merr telefonin dhe e shoqëron gazetarin Hila në furgon, Shefi i rendit Agron Qullhaje fillon të kontrollojë telefonin e gazetarit duke cenuar privatësinë e tij.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/vb.1477517792294489/185307926255394/?type=2&theater

 

 

SHKARKO APP