Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani thirrje nga Londra: Të mbrojmë demokracinë e rajonit nga Putini

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po merr pjesë në samitin e katërt të Komunitetit Politik në Britani, dhe në një deklaratë për mediat, theksoi se lufta në Ukrainë po e rrezikon sigurinë dhe stabilitetin jo vetëm të rajonit, por edhe të gjithë Europës. Osmani kërkoi që demokracia të mbrohet nga Rusia dhe Putini.

“Edhe pse nuk jemi anëtarë të Bashkimit Europian, do të kemi një mundësi të barabartë për të shprehur jo vetëm shqetësimet, por edhe idetë se si mund të kapërcejmë disa nga sfidat më të mëdha me të cilat po përballet kontinenti ynë.

Siç e dini, këto nuk janë kohë të lehta, për shkak të luftës në Ukrainë dhe agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, gjë e cila po rrezikon arkitekturën e sigurisë së të gjithë kontinentit europian, por në të njëjtën kohë, është një mundësi e shkëlqyer për të na kujtuar neve se ka histori suksesi, si Republika e Kosovës, që ka treguar se në vitin 1999 Perëndimi kishte avantazh dhe Kosova është prova, dhe tani Perëndimi edhe një herë ka avantazh dhe Ukraina nesër do të jetë prova.

Është shumë e rëndësishme që të qëndrojmë të bashkuar në mbrojtjen e vlerave të demokracive nga forcat keqdashëse si Rusia, por po aq e rëndësishme është të luftojmë kundër përfaqësuesve rusë, sepse ata janë po aq të rrezikshëm sa Rusia dhe vetë Putin”, tha Osmani.

SHKARKO APP